E Diel, 1 Nëntor 2026

Turku: Shqipëria, destinacioni turistik i 2009-s



Znj. Turku, po bëhet shumë fjalë në shtyp kohët e fundit për prekje të disa sektorëve të ekonomisë shqiptare nga pasojat e krizës së përgjithshme financiare dhe ekonomike në botë. A është prekur turizmi shqiptar?

-Turizmi përfaqëson sot një nga industritë kryesore në ekonominë shqiptare. Duke iu referuar vitit 2008, ai ka qenë një vit i suksesshëm për turizmin shqiptar. Numri i vizitorëve për periudhën janar-dhjetor 2008 ka qenë rreth 2,578,000. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007, për periudhën janar-nëntor 2008 numri i vizitorëve të huaj është rritur me 21 për qind. Vizitorë me nënshtetësi shqiptare kanë qenë mbi 1.2 milion, ndërsa vizitorë të huaj mbi 1.3 milion.

Nga ana tjetër, industria e turizmit ka shtuar gamën e shërbimeve të saj ofruar turistëve, duke mundësuar një rritje të lehtë të kohëqendrimit mesatar për turist. Numri i vizitorëve në parqet tona arkeologjike është rritur me shifra 10 deri 15 herë. Ndërkohë, ofertat e turizmit me bazë natyrën, turizmin alpin dhe atë rural janë gjithashtu zhvilluar më tej. Po ashtu, komuniteti i biznesit turistik shqiptar ka vlerësuar angazhimin e qeverisë shqiptare në përmirësimin e rrjetit rrugor që të çon drejt pikave turistike, në veçanti investimet në rrjetin rrugor të rivierës shqiptare. Kanë njohur përmirësim gjatë vitit 2008 edhe shërbimet bazë në zonat turistike, sikurse janë ato të furnizimit me energji dhe ujë të pijshëm. Duke u bazuar në thëniet e operatorëve turistikë, fluksi i turistëve të huaj që prenotojnë këtu është në rritje. Turizmi këtë vit do të ketë veçantitë e tij.

Cilat janë këto veçanti?

-Oferta jonë është më pak e shtrenjtë se rezortet turistike të Malit të Zi apo të Kroacisë. Duke u ndodhur në kushte sfiduese ekonomike, gjykoj se shumë familje nga Maqedonia apo Mali i Zi do ta shikojnë më me interesim ofertën shqiptare këtë vit, pse shpenzojnë më pak duke ardhur këtu. Po ashtu, numri i turistëve grekë apo italianë që do të duan të kalojnë një javë pushime në Shqipëri mund të jetë në rritje, pikërisht për të njëjtat arsye.

Më lejoni të them se gjatë vitit 2008 pamë me dhjetëra mijëra pushues më shumë maqedonas jo shqiptarë në rivierën shqiptare apo edhe me mijëra malazezë që vinin për pushime në Shkodër dhe Lezhë. Janë të gjitha arsyet që për këtë vit ky fluks vizitorësh të rritet. Nga ana tjetër, Shqipëria është një destinacion turistik në njohje e sipër. Interesimi për të po rritet. Promovimi i bërë në rrjetin televiziv CNN gjatë vitit të kaluar, transmetimi i reklamës së turizmit shqiptar në rrjetin tjetër televiziv ndërkombëtar shumë të njohur Euronews në muajt shkurt-mars 2009 patjetër që do të japin frytet e veta për këtë vit. Për këtë jam e sigurt. Po ashtu ka filluar përgatitja e spotit për promovimin e turizmit shqiptar në rajon.

Si po ecin investimet në turizëm?

-Në rast se e keni fjalën për investuesit strategjikë (krahas qindra investimeve të sipërmarrësve shqiptarë në formën e fshatrave turistike, hoteleve, moteleve etj.), mund t’ju them se ata jo vetëm nuk janë pakësuar, por shtuar kohët e fundit. Në fillim të muajit maj presim një delegacion nga Gjermania, ku në përbërje të tij ka dhe përfaqësues nga kompania e njohur e paketave turistike ndërkombëtare me shumicë, e quajtur TUI. TUI po shfaq interesim në rritje për tregun turistik shqiptar. Gjithashtu, një kompani nga Katari është ofruar dhe ka projekte për të investuar rreth 1 miliard euro në gjirin e Lalsit, ndërsa në fshatin Gos të Kavajës një tjetër konsorcium planifikon të ndërtojë një port jahtesh (marine). Më në veri, një fshat turistik është planifikuar të ndërtohet në Velipojë. Gjykuar nga ofertat e mësipërme, mund të them se investimet në turizëm po ecin me ritmin e shpresuar.

Jemi mësuar të shohim ndërgjegjësim të opinionit shqiptar nga ana e qeverisë që në janar për të pastruar bregdetin dhe rrugët tona turistike. Pse nuk është vërejtur një gjë e tillë këtë vit?

-Ndërgjegjësimi mendoj se ka vijuar nga ana e ministrisë sonë dhe ministrive të tjera të linjës, ndonëse jo në formën e një fushate kësaj here. Mund t’ju them se nga veprimet e viteve të mëparshme, pastrimi i ambienteve turistike ka qenë intensiv. Përherë e më pak ka pirgje hedhurinash pranë këtyre ambienteve. Së pari, është puna e vetë pronarëve privatë të aseteve turistike, që po pastrojnë përherë e më mirë ambientet e tyre dhe ato përreth, por edhe e qeverive vendore. Shumë bashki e komuna po dallohen me veprime që realizojnë një pastrim cilësor e deri diku të qëndrueshëm të plazheve e ambienteve të tjera turistike të tyre. Në bashkëpunim me pushtetin qendror, ata po bëjnë një punë promovuese të mirë, duke ofruar edhe aktivitete të ndryshme kulturore apo zbavitëse, gjatë sezonit veror. Në këto arritje, komunat e bashkitë e tjera ia vlen të shikojnë punën e mirë të kryer nga simotrat e tyre. Megjithatë, edhe pse kemi rezultate dhe gjendja e pastrimit paraqitet shumë më e mirë se e pak viteve më parë, bashkitë dhe komunat turistike të vendit hasin një sërë problemesh. Për t’i adresuar ato dhe për të sjellë koordinimin e mbështetjen e ministrisë, vetë ministri Ardian Turku ka planifikuar një tur takimesh në këto bashki e komuna pak përpara fillimit të sezonit si dhe i fton në një takim të përbashkët për të diskutuar për mbarëvajtjen e stinës turistike verore.

Komuniteti i biznesit që vepron në turizëm ka shprehur në jo pak raste pakënaqësitë apo vërejtjet e tij për përmbajtjen e ligjit të turizmit dhe nevojën që ai ka për t’u ndryshuar. Çfarë ka bërë Ministria e Turizmit në këtë drejtim?

-Ministria ka vendosur një partneritet me komunitetin e biznesit të vlerësuar nga vetë ky i fundit. Janë shpeshtuar mbledhjet dhe konsultimet e zyrtarëve të ministrisë me përfaqësuesit e shoqatave të biznesit turistik. Përpara pak muajsh është nënshkruar edhe një marrëveshje mirëkuptimi mes Ministrisë dhe Shoqatës së Turizmit Shqiptar, e cila përmbledh në strukturën e saj Shoqatën e Pronarëve të Hoteleve dhe Restoranteve, si dhe një pjesë të shoqatave të tur-operatorëve. Ne, në takimet tona, i thërrasim të gjitha shoqatat pa përjashtim. Më datë 29 prill, ministria, në bashkëpunim me shoqatat dhe me agjencitë donatore organizon një konferencë kombëtare të biznesit turistik, me temë “Së bashku bëhemi më konkurrues”. Në konferencë janë ftuar të gjithë operatorët turistikë në Shqipëri (të cilët janë me qindra), si dhe prefekturat, këshillat e qarqeve, bashkitë dhe komunat turistike. Po ashtu do të jenë përfaqësues nga ministritë e linjës (si p.sh. Ministria e Transportit, ajo e Brendshme, e Jashtme etj.), të cilët do të raportojnë për përgatitjet dhe punët përkatëse të kryera nga ministritë e tyre, në ndihmë të turizmit shqiptar.

Gjithashtu, vitin e kaluar lehtësuam pjesëmarrjen e operatorëve turistikë në panairin ndërkombëtar turistik të Londrës, duke ulur pagesën për prezantimin e tyre nga 2 mijë paund anglezë në një mijë e treqind paund. Këtë vit po përqendrojmë vëmendjen tek pjesëmarrja e suksesshme e operatorëve tanë turistikë në panaire si ai i Prishtinës, Shkupit, Podgoricës etj., pse prurjet më të shumta të vizitorëve i kemi pikërisht prej shteteve përkatëse fqinje.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›