Turku me vizë false kapet në portin e Vlorës
VLORË- Një shtetas turk është ndaluar në pikën kufitare të portit të Vlorës, pasi ka tentuar të kalojë këtë pikë me dokumente të falsifikuara. Burime nga policia bëjnë me dije se 25- vjeçari ka treguar në sportel dokumentet për të ikur drejt Italisë. Efektivët e policisë kanë patur dyshime, ndaj edhe i kanë kaluar dokumentet në një fazë tjetër verifikimi. Pasaporta e 25 -vjeçarit Idriz Dinar kishte një vizë shengen false. Kaq ka mjaftuar që ai jo vetëm të mos lejohej të kalonte, por edhe të mbahej në ambientet e pikës kufitare ku është marrë në pyetje. I huaji që kishte ardhur nga Rinasi, ka këmbëngulur se vizën e kishte marrë në Stamboll, ku edhe jetonte. Por burime nga hetimorët pohojnë se ky mendohet të jetë thjesht një pretendim i të riut. Ai dyshohet ta ketë marrë vizën e falsifikuar në Shqipëri, ndërsa kishte si synim të mbërrinte në Itali.