Turqi, 11 persona humbin jetën nga rrëshqitjet e tokës
11 persona janë vrarë dhe dy të tjerë deklarohen të humbur pas rrëshqitjeve të tokës të shkaktuara nga rrëketë e shiut që shkatërruan disa shtëpi në një qytet në verilindje të Turqisë, njoftoi të premten agjensia shtetërore e lajmeve 'Anatolia'.
Rrëshqitjet e tokës përfshinë pjesë të qytetit Gundongdu, në rajonin lindor të Detit të Zi. Numri i të vdekurve u rrit në 11 pasi autoritetet gjetën tre trupa të pajetë në dy shtëpi të mbuluara nga balta bëri të ditur 'Anatolia'.
Gjithashtu gjashtë persona janë plagosur dhe qindra të tjerë kanë mbetur të pastrehë.
"Ne dëgjuam një zhurmë dhe e kuptuam menjëherë që shtëpia po shembej. Unë ia dola mbanë por vëllai dhe vjehrra ime nuk shpëtuan dot", tha Burak Akad një nga të prekurit e përmbytjeve. Rrëshqitjet vdekjeprurëse të tokës janë të zakonshme në bregdetin e Detit të Zi në Turqi, ku shpesh banorët ngrenë ndërtesa që nuk i plotësojnë kushtet e ndërtimit.