Turqi, 16 kryengritës kurdë dhe 5 ushtarë të vrarë

16 kryengritës kurdë dhe pesë ushtarë turq janë vrarë gjatë luftimeve në pjesën juglindore të Turqisë.
Raportet thonë se kryengritësit kanë aktivizuar një bombë në provincën Hakari, teksa kalonin makinat ushtarake. Më pas kurdët kanë hapur zjarr kundër ushtarëve dhe ka pasuar kundërsulm mes ushtrisë dhe kryengritësve kurdë.
Gjatë javëve të fundit është shënuar përshkallëzim i dhunës ndërmjet forcave të sigurisë së Turqisë dhe kryengritësve nga Partia Punëtore e Kurdistanit (PPK), e cila lufton për autonomi në pjesën juglindore të Turqisë.
Nga konflikti ndërmjet PPK-së dhe forcave të Turqisë, që PPK-ja e ka filluar para afro 30 viteve, janë vrarë më se 40 mijë njerëz.