Turqi, 17 viktima nga shpërthimi në një minierë
Një shpërthim në një minierë qymyrguri në Turqi u ka marrë jetën 17 personave të cilët ishin punonjës të asaj miniere. Lajmin e bëri të ditur vetë kryeministri turk Tayyip Erdogan.
"47 persona ishin duke punuar në 80 metra nën tokë në kohën kur ndodhi shpërthimi fatkeq, për pasojë humbën jetën 17 prej tyre. Ndërsa 30 punonjës të tjerë janë duke u trajtuar në spital."- u shpreh në një deklaratë për medit kryeministri turk.
Forcat e shpëtimit i kryen operacionet e tyre 5 orë pasi ndodhi shpërthimi tragjik në një minierë e cila ndodhet afër qytetit të Dursunbey i cili ndodhet në provincën Balikesir. 12 trupat fillimisht u gjetën të vdekur nën rrënojat e minierës ndërsat 5 punonjësit e humbën jetën në kohën kur ata po merrnin trajtimin në ambientet spitalore. Ndërsa 18 minatorë të tjerë janë duke marrë trajtimin e duhur shëndetësor në spitalet e tjera të qytetit.
Nuk është hera e parë që ndodh një ngjarje e tillë në këtë zonë. Po në një minierë të Dursunbey në vitin 2006 humbën jetën 17 minatorë, numër i njëjtë me bilancin e viktimave në ngjarjen e fundit. Kjo tragjedi ndodh vetëm dy muaj pasi 19 minatorë humbën jetën pas një shpërthimi në një minierë në qytetin e Bursas. Këto shpërthime janë të zakonshme për shtetin turk. Ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në Turqi me minierat, është tragjedia e Zonguldakut afër Detit të Zi ku humbën jetën 263 minatorë. Kjo ngjarje ka ndodhur në vitin 1992.