Turqi, vazhdojnë protestat në sheshin Taksim. Erdogan: Nuk tërhiqem
Përleshje të dhunshme mes manifestuesve dhe policisë
Kryeministri turk Erdogan nuk ka ndërmend të tërhiqet nga pozicioni i tij pavarësisht situatës së krijuar në vend. Gaz lotesjellës, automjete të blinduar dhe polici anti terror. Këto janë masat e marra nga qeveria e Erdogan për të ndaluar manifestuesit që janë mbledhur sërish që në orët e para të mëngjesit në sheshin Taksim në Stamboll.
Pavarësisht situatës së tensionuar dhe apelit që vjen nga Bashkimi Europian për dhunën që policia turke po përdor kundër manifestuesve, Erdogan nuk zmbrapset. Kryeministri turk në fjalën e tij në parlament ka bërë të qartë se projekti i Gezi Park do të vazhdojë dhe se manifestuesit po keqpërdoren.
“Do të presim pemët në Gezi Park. Do i presim dhe do i rimbjellim diku tjetër. Manifestuesit e sinqertë që ende ndodhen në park duhet të tërhiqen. Pasi Gezi Park nuk është një zonë pushtimi. Manifestuesit po përdoren nga lobuesit financiarë dhe shtypi i huaj po sulmon vendit tonë.”
Policia turke ka qenë e pajisur mirë për të ndërprerë dhe për të shpërndarë me forcë manifestuesit që janë mbledhur që në orët e para të mëngjesity në sheshin Taksim në Stamboll.
Me mbështetjen e automjeteve të blinduar për të hedhur ujë me presion, forcat e rendit janë përpjekur të heqin barrikadat e vendosura në shesh. E njërës prej tyre i është vënë zjarri.
Një mëngjes dramatik në sheh ku me qindra policë të anti terrorit u janë kundërpërgjigjur sulmit me bomba molotov dhe gurë nga manifestuesit.
Tuiteri vazhdon të mbetet një pasqyrim i asaj që po ndodh ku nuk ka munguar dhe ironia ndaj kryeministrit turk. Erdogan kishte premtuar një ditë më parë se do të takohej me manifestuesit, por e vetmja që është dukur në sheshin Taksim ka qenë policia.
Nga ana tjetër televizioni shtetëror turk ka treguar pamjet e dhjetëra policëve të cilët pasi kanë hequr maskat janë ulur të pushojnë,
Ka qenë i ashpër dhe reagimi i zv/kryeministrit të vendit Arinc i cili u shpreh se aktet e paligjshme nuk do të tolerohen më dhe se do të merret cdo masë për të sjellë situatën nën kontrroll.
Ai gjithashtu ka folur dhe për një takim të kabinetit qeveritar të drejtuar nga kryeministri Erdoan, për të cilin protestuesit kërkojnë dorëheqjen. Arinc ka lënë të kuptohet se protestat në sheshin taksim dhe në vende të tjera do të përfundojnë brenda fundjavës.