Imami: Të rinjtë, përcaktues në fitoret e PD – më 23 qershor të refuzojmë Edi Ramën dhe modelin e tij të korrupsionit
Kreu i deputetëve të PD në qarkun e Elbasanit, Arben Imami takim me të rinjtë e rajonit Nr.2 dhe 3
Mbi 400 të rinj të rajonit Nr. 2 dhe 3 të qytetit të Elbasanit u mblodhën mbrëmjen e djeshme në një takim me z.Arben Imami i cili shoqërohej nga kandidati për deputet Aurel Bylykbashi. Pritja ishte shumë entuziaste për fitoren e 23 qershorit sepse rinia e mbështet Partinë Demokratike, sepse të rinjtë janë pa paragjykime dhe mbështetja që i ka dhënë rinia e qarkut të Elbasanit është e mrekullueshme. “Të gjithë e mbështesin këtë parti, të gjithë mbështesin një qeveri me Sali Berishën, sepse kjo parti, kjo qeveri, është qeveria juaj e krijuar nga Aureli dhe shokët e tij, e pasuar nga ju të rinj sot, është partia, qeveria që ka kuptimin, energjinë për të bërë punë të mëdha, për ta çuar Shqipërinë përpara. 8 vjet më parë 3 herë më i vogël ishte numri i studentëve në Elbasan e në të gjithë Shqipërinë. Edi Rama thotë të shkurtojmë numrin e studentëve që të shkojmë prapë tek konkurset e vjetra, tek korrupsioni, si në kohën e komunizmit, si në kohën e qeverisjes socialiste. Ne i themi Edi Ramës, se nuk është kjo rruga, por kështu siç jemi të bëjmë më shumë për cilësinë, të bëjmë më shumë për dijen. Të hapim autostradat reale, autostradat e dijes, të internetit, dhe autostradat e rrugëve, sepse nëpërmjet rrugëve dhe dijes ne do të jemi një komb i zhvilluar, një komb që na takon të jemi në mes të Europës. Sigurisht që asnjë nga rinia e Elbasanit do të ketë takime me Ben Blushin, sepse kjo qeverisje, vetëm kjo frymë e cila është e lindur nga ju, ka menduar për punësimin për të rinjtë shqiptar, ka hequr taksën deri në tre vitet e para të punës për të rinjtë nga 16 – 30 vjeç, do të lehtësojë kreditimin dhe përqindjen e interesit për të rinjtë e kësaj moshe që do të hapin biznese. Do të bëjmë më shumë për të rinjtë e këtyre rajoneve, për vajzat dhe djemtë e Elbasanit dhe të gjithë vendit. Elbasani është një qytet që ka një perspektivë të shkëlqyer, një qytet universitar ku me një klikim nga biblioteka e Elbasanit mund të futesh në bibliotekën e Oksfordit. Elbasani ndodhet në kryqëzimin e rrugëve që lidhin kryeqytetin e vendit me lindjen, juglindjen, me jugun dhe me Boshtin e Jugut që do të nisë punimet në katër vjecarin e ardhshëm”, tha Imami. Kandidati për deputet, z. Aurel Bylykbashi në fjalën e tij ftoi rininë elbasanase që të ketë besim tek kjo forcë politike, “kjo forcë politike vazhdon të jetë e mbështetur tek rinia, pasi ne ju kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë tju mbështesim, sepse ju jeni e ardhmja e vendit, dhe pa ju nuk mund të fitohet, ne do të fitojmë për ju”, tha në fjalën e tij kandidati për deputet Aurel Bylykbashi. Ndërsa duke u ndalur tek kandidadët e PS në Elbasan, Bylykbashi tha se “në këto rajone nuk ka asnjë kandidat, ata fshihen sepse kanë frikë të përballen sepse mbajtën peng integrimin e vendit drejt BE, kurse rruga jonë është investime dhe mirëqenie”.
Takim me banorët në lagjen 5 maji, Imami: Taksa progresive rrit korrupsionin, ul numrin e të punësuarve/Në vijim të turit të takimeve në zona të ndryshme të qytetit të Elbasanit, kryesuesi i listës së kandidatëve të PD, Arben Imami i shoqëruar nga kandidati për deputet Luçiano Boçi kanë zhvilluar një takim me banorë të lagjes “5 Maji” të rajonit Nr. 6, në periferi të qytetit. Duke shpresuar tek një fitore e madhe në datë 23 qershor, Imami e vuri theksin tek zhvillimi i vendit gjatë viteve të fundit, investime që konsistojnë në bujqësi, hidroenergjetikë, arsim, shëndetësi, etj, që sipas Imamit janë kryer në një kohë kur Europa është thuajse në krizë. “Pavarësisht se çfarë thotë shoku Rama, fakti është se janë rritur vetëm rrogat e ulëta dhe jo rrogat e larta, dhe n.q.s, rroga e kryeministrit para tetë vjetësh ishte dhjetë herë më e madhe se rroga më e ulët, sot është pesë herë më e madhe. Shokët socialist qajnë për shtresat në nevojë, por në kohën e tyre shokët socialist rritën vetëm rrogat e larta. Partia Demokratike, rriti pensionet, do të rriten edhe këtë vit, por edhe në vitet e ardhshme, ky është një premtim që do të mbahet, ashtu sikurse do të mbahet premtimi edhe për rrogën e mësuesit që do të shkojë 700 dollarë”, tha Imami. Ai është ndalur edhe një herë tek investimi më madhor i qeverisë gjatë këtij 4-vjeçari qeverisës, autostrada Elbasan-Tiranë, duke e cilësuar si një nga premtimet më të mëdha që ka bërë kryeministri i vendit Sali Berisha për qytetarët elbasanas, një rrugë që do të inagurohet së shpejti, dhe që do të ndikojë drejtë për drejtë në xhepin e familjeve, pasi zhvillim ka aty ku ka transport dhe aty ku kryqëzohen rrugët.
...