E Diel, 1 Nëntor 2026

Turqi, zgjerohet skandali i basteve, arrestohen 7 persona të tjerë

TURQI- Skandali i manipulimit të ndeshjeve në futbollin turk ka marrë përmasa të tjera ditën e mërkurë, kur policia bëri të ditur arrestimin e 7 personave të tjerë si të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Arrestimet u bënë të gjitha në Stamboll, ndërkohë që edhe 26 persona të tjerë u nxorrën në Gjykatë, për t’u pyetur nga Prokurorët e çështjes.

Skandali ka marrë përmasa të frikshme, ndërkohë që edhe Federata Turke ka shprehur gatishmërinë e saj për t’i shkuar deri në fund kësaj çështjeje, pa pritur që Gjykata të nxjerrë përfundimet e saj. Deri tani janë burgosur 60 persona, mes të cilëve edhe presidenti i klubit të Fenerbahçes, kampiones së Turqisë, Aziz Jildirim. Një fushatë që ka tronditur futbollin turk, që ka një nga Ligat më të pasura në Evropë, me xhirime në disa miliarda dollarë në vit.

Të martën, Prokurorët patën marrë në pyetje 22 persona, duke lënë në burg 19 prej tyre dhe duke liruar 3, mes të cilëve edhe sulmuesi i kombëtares Mehmet Jildiz. Por, një tjetër problem është ngritur nga UEFA mbi hetimet e këtij skandali. Duke qenë se shumë klube, mes të cilëve edhe Fenerbahçe, rrezikojnë rënien nga kategoria, UEFA ka kërkuar emrat e skuadrës që do të marrin pjesë në turin e tretë të Champions League. Për këtë, Federata Turke ka afat deri më 15 korrik.

“Është kohë e shkurtër, por ne do të përpiqemi ta shfrytëzojmë sa më mirë atë, duke ecur sipas parashikimeve, deklaroi presidenti i Federatës Turke Mehmet Ali Ajdinlar. Operacioni i arrestimeve të ndërmarra nga policia ka përfshirë deri më tani presidentë klubesh, futbollistë, zyrtarë të lartë dhe njerëz të lidhur me botën e krimit. Ky operacion po zhvillohet në 15 provinca anembanë Turqisë, në atë që përbën fushatën më të madhe në luftën kundër trukimeve në futboll.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›