E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqia: Të mos kundërshtohet hyrja në BE

Shefi i diplomacisë turke paralajmëroi sot vendet si Franca që janë kundër hyrjes së saj në BE, duke nënvizuar se kjo mbjell "dyshime" në shpirtin e turqve dhe frenon reformat në vend. "Zërat negativë që dëgjojmë gjithmonë nga ana e disa vendeve të BE-së mbjellin dyshim mes bashkëqytetarëve tanë dhe dëmtojnë përpjekjet tona për të vazhduar reformat", vlerëson Ahmet Davutoglü në një shkrim të botuar në të përditshmen kryesore suedeze, ditën kur do të takohet në Stokholm me homologët e tij të Bashkimit Evropian. Suedia mban deri në fund të vitit presidencën e radhës së BE-së. Sipas Davutoglü, Turqia ka përmbushur reforma që "as që mendoheshin para disa vitesh", duke përmendur lirinë e besimit dhe të shprehjes, heqjen e dënimit me vdekje dhe emisionet në radion kurde, "një revolucion i heshtur", të cilin kritikat për pranimin e Turqisë vetëm sa e dëmtojnë. "Suedia mendon si ne, se Evropa nuk mund të jetë kurrë një entitet i fortë dhe solidar përsa koha Turqia mbetet jashtë BE-së", nënvizon ministri turk i Punëve të Jashtme në këtë tekst të botuar nga "Dagens Nyheter". "Prandaj mbështetja e vendeve si Suedia, me qëndrimin e tyre objektiv dhe inkurajues ka një rëndësi të madhe në këtë proces", vijon Davutoglü. Suedia është që prej një kohe të gjatë pro pranimit të Ankarasë në BE. Por bisedimet e hapura në 2005-n, kanë po çalojnë. Disa vende evropiane, me në krye Francën dhe Gjermaninë, janë kundër pranimit dhe janë shprehur për një "partneritet të privilegjuar".

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›