E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau shokun, burg endacakut të sëmurë

TIRANE – Gentian Manushaj, 25-vjeçari kryeqytetas i prangosur katër ditë më parë për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij Dritan Bekteshi, rezulton të jetë i sëmurë mendor. 

Avokatja e tij mbrojtëse Vjollca Pustina, e caktuar kryesisht nga gjykata, paraqiti në proces një raport mjeko-ligjor me të cilin vërtetonte se klienti i saj ishte i papërgjegjshëm para ligjit për veprën penale të kryer. Sipas mbrojtëses Pustina, klienti i saj duhej të mbyllej në psikiatri dhe jo në qeli. Vetë i arrestuari pohoi dje në Gjykatën e Tiranës se, e kishte kryer këtë krim për t’i grabitur viktimës paratë e përfituara nga shitja e një celulari. Burime nga procesi pohojnë se, para gjyqtares së gatshme Manushaj tregoi se njihej me viktimën pasi bënin të dy jetë endacaku. Pas kësaj ai i kishte kërkuar atij të takoheshin tek Ura e Gjirosit, pranë Bregut të Lumit, në një zonë e cila shërbente për hedhjen dhe grumbullimin e mbeturinave dhe inerteve, vend ku më pas u gjet edhe kufoma e përgjakur e viktimës Bekteshi. Shkak për takimin e tyre ishte shitja e një celulari rreth dy mijë lekë të reja, të cilat viktima i mbante në xhep. Autori i krimit ka shfrytëzuar një moment që viktima po kryente nevojat personale dhe e ka qëlluar me dru në kokë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas kësaj është larguar me vrap, ku u kap rreth 10 orë më vonë te “9-Katëshet” pranë qendrës së kryeqytetit. Pas kësaj prokurori që kishte drejtuar hetimet paraprake i kërkoi gjykatës vendosjen e masës së sigurisë “burg pa afat” për të pandehurin, kohë gjatë së cilës ai do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore për të parë nëse është apo jo i përgjegjshëm për krimin e kryer.                           fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›