Turqia mbështet fuqishëm planin Ahtisaari për pavarësinë e Kosovës
Kryeministri Berisha zhvilloi sot në Nju Jork një takim me Kryeministrin e Turqisë Recep Tayyip Erdogan. Dy kryeministrat diskutuan mbi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, si dhe zhvillimet më të fundit në rajon.
Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Erdogan përshëndetën iniciativën e Presidentit Bush për mbajtjen e tryezës së rrumbullakët për demokracinë, duke vlerësuar se është shumë e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin demokracinë dhe përpjekjet e vendeve për ta arritur atë.
Kryeministri Erdogan i shprehu Kryeministrin Berisha falënderimet për mbështetjen e Shqipërisë në zgjedhjen e Turqisë si vend jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. “Për 50 vjet kemi qenë anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe kurrë nuk e kemi arritur një gjë të tillë,” u shpreh kryeministri turk.
Kryeministri Berisha e njohu homologun e tij me reformat e ndërmarra nga qeveria dhe rezultatet e arritura, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në reformat në fushën ekonomike dhe fiskale me qëllimin krijimin e një klime lehtësuese për biznesin dhe investimet. Kryeministri Berisha vlerësoi se interesi i investitorëve dhe kompanive turke për të investuar në Shqipëri është në rritje. “Shumë kompani turke si Çalik, Enka etj. veprojnë në Shqipëri, ndërkohë që shumë kompani të tjera kanë shprehur interesin për të investuar,” u shpreh Kryeministri. Nga ana e tij, Kryeministri Erdogan theksoi se kur të vizitojë Shqipërinë do të shoqërohet nga një grup biznesmenësh për të parë arritjet dhe për t’i motivuar ata për të investuar në Shqipëri. Dy kryeministrat theksuan gjithashtu se është shumë e rëndësishme zbatimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë midis dy vendeve.
Kryeministri Berisha dhe ai turk Erdogan u ndalën edhe në çështjen e Kosovës, për të cilën theksuan se dy vendet mbështesin fuqishëm planin Ahtisaari dhe shprehën bindjen se Turqia do të luajë një rol të rëndësishëm për mbështetjen e këtij plani, sidomos në kuadër të Organizatës së Konferencës Islamike. Ata shprehën bindjen se Turqia, si një vend lider në rajon, do të luajë një rol shumë të rëndësishëm për çështjen e Kosovës. Kryeministri Berisha i kërkoi Kryeministrit Erdogan që Turqia të intensifikojë përpjekjet për zhvillimin e mëtejshëm të investimeve në Kosovë.
Kryeministri Berisha e ftoi Kryeministrin Erdogan për të vizituar Shqipërinë. Nga ana e tij, Kryeministri turk premtoi se do të vizitojë shumë shpejt vendin tonë.