E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqia përdor Qipron për të rritur fuqinë në rajon

Kryeministri turk Reçep Tajip Erdogan po shton tensionet me Qipron lidhur me kërkimet e këtij vendi për burimet e gazit natyror dhe naftës, në detin Mesdhe. Së fundi, ai sulmoi edhe një herë si Nikozinë ashtu edhe komunitetin ndërkombëtar.

Ankaraja thotë se çdo eksplorim i ndërmarrë nga Nikozia duhet të kryet në bashkëpunim me qeverinë e Qipros turke, e cila është e njohur vetëm nga Turqia. Ky qëndrim nuk është pranuar nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri Erdogan ka kërcënuar se do të dërgojë anije ushtarake në rajon, ndërkohë që debati diplomatik përkeqësohet.

Ankaraja po nis një luftë diplomatike kundër ish-aleatit të saj, Izraelit, për shkak të vrasjes nga ana e këtij të fundit të aktivistëve turq që tentuan të kalonin bllokadën izraelite në Gaza. Që atëherë, Izraeli ka krijuar marrëdhënie të ngushta me qeverinë e Qipros greke, duke nënshkruar vitin e shkuar një protokoll mbi kërkime për energjinë në detin Mesdhe.

Nënsekretari i Ministrisë së Jashtme turke Selim Yenel pranon se situata e ndërlikuar me Qipron përfshin edhe Izraelin.

“Ne jemi në dijeni se po diskutohet për të patur një zonë të përbashkët midis Izraelit dhe Qipros greke. Pra, kjo do të thotë se një gjë e tillë duhet diskutuar më tej dhe se ne nuk mund ta pranojmë thjesht në mënyrë të njëanshme” ka theksuar ai.

Për momentin, asnjëra nga palët nuk duket të jetë gati për t`u tërhequr. Nikozia është përgjigjur se do të vëjë veton kundër anëtarësimit të Turqisë në BE, por një kërcënim i tillë duket bosh pasi anëtarësimi i Ankarasë është pothuajse i bllokuar qysh tani.

Kryeministri Erdogan ka mbështetur me sukses lëvizjen Pranvera Arabe në Afrikën veriore dhe Lindjen e Mesme. Kryeministri turk ka lënë të kuptohet gjithashtu se vendi i tij mund të ndërmarrë masa ndëshkuese kundër Sirisë, bashkë me aleatët perëndimorë kundër përgjigjes së dhunshme të Damaskut ndaj protestuesve.

Pak njerëz parashikojnë se kriza aktuale midis Turqisë dhe Qipros do të përshkallëzohet në një konflikt të plotë. Por, ndërkohë që Ankaraja vazhdon retorikat e ashpra me premtimet për shtimin e pranisë së anijeve ushtarake në rajon, rreziku për këtë konflikt mbetet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›