Turqia "nuk e do" Almedën

Almeda Abazi, e cila deri tani ka marrë tre kurora të rëndësishme bukurie, si "Miss Tirana 2007",“Miss Shqipëria 2008” dhe “Miss Globe International”, tashmë është fytyrë e njohur edhe në Turqi.
Ajo filloi të punonte si modele dhe më pas u shfaq në telenovela dhe filma turk. Në Turqi, ajo konsiderohet si një nga femrat më joshëse dhe të talentuara në botën e kinematografisë dhe showbizit turk.
Megjithatë, kërkesa e 21 vjeçares për të fituar shtetësinë turke, pasi tashmë kishte krijuar imazhin e të bukurës në Sakaray, është refuzuar. Kërkesa e dërguar në zyrën e guvernatorit të Sakaray-t që si referencë ka pasur një dokument të dorëzuar nga Ministria e Kulturës për aktivitete që Almeda ka kryer në shtetin turk, siç raportojnë mediat turke, nuk është pranuar nga guvernatori i zonës.
“Zyra e guvernatorit, më datë 7 dhjetor të vitit 2012, në përputhje me kërkesën e dorëzuar nga ana e personit Almeda Abazi, së bashku me referencën e Ministrisë së kulturës për kontributin e dhënë në sferën kulturore, duket si e papërshtatshme bazuar në nenin 12 të ligjit për shtetësi turke nr. 5901, duke kërkuar nga Ministria e Brendshme në mënyrë të jashtëzakonshme ta shqyrtojë propozimin për shtetësi”, thuhet në letrën dërguar mediave nga zyra e guvernatorit të provincës së Sakaray-t.
Në vitin 2008, pasi fitoi spektaklin e bukurisë “Miss Globe”, Almeda Abazi ishte në pritje të ofertave në Shqipëri, por pasi e pa që në adresë të saj nuk kishte asnjë gjë konkrete, bukuroshja shqiptare kishte vendosur që së bashku me të ëmën dhe motrën të zhvendoseshin për të jetuar në Turqi. /Indeksonline/