E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Në 2009-ën, Shqipëria, kandidate për në BE



Progres-raporti i Brukselit i la Shqipërisë dyert plotësisht të hapura për paraqitjen në kohën e duhur të kërkesës për statusin e kandidatit. Nisur nga kjo, Kryeministri Sali Berisha është optimist se vitin që vjen Shqipëria mund të paraqesë kërkesën për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. “Natyrisht, - tha Kryeministri Berisha,- kjo nuk do të jetë vetëm në dorën e qeverisë shqiptare, pasi ka një kompleksitet faktorësh”. "Këtë 6-mujor kryesinë e BE-së e kishte Franca, por Presidenti dhe qeveria franceze kanë pasur një 6-mujor me problematikën evropiane dhe botërore më të rëndësishme. Në rast se kjo çështje nuk u bë e ndjeshme gjatë 6-mujorit të presidencës franceze, natyrisht që do ta konsiderojmë shumë seriozisht vitin e ardhshëm", - tha z. Berisha.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, Kryeministri Berisha iu përgjigj interesimit të medias lidhur me kohën se kur Shqipëria do të aplikojë për statusin e vendit kandidat në BE. Sipas tij, "qeveria shqiptare është një qeveri transparente dhe kur të marrë vendimin për të kandiduar, do ta bëjë atë të ditur për publikun". "Një gjë është e sigurt, se raportet e Brukselit, të cilat në asnjë lloj rrethane nuk mund të jenë folklor ballkanik, kanë një vlerësim objektiv për arritjet tona dhe detyrat që ne duhet të zgjidhim", - u shpreh Kryeministri. Në këtë drejtim, kreu i qeverisë shqiptare vuri në dukje se "progres-raporti i Brukselit i la dyert plotësisht të hapura për paraqitjen në kohën e duhur të kërkesës për statusin e kandidatit".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›