Turqia shpreh keqardhje për komentet e Obamës

Turqia ka shprehur “keqardhje të thellë” lidhur me komentet e presidentit amerikan, Barack Obama, me rastin e përkujtimit të vrasjes së 1.5 milionë armenëve nga Perandoria Osmane, gjatë Luftës së Parë Botërore.
Këtë ngjarje Obama e ka përshkruar si “njërën nga mizoritë më të këqija në shekullin e 20-të”.
Presidenti amerikan më tutje ka thënë se armenët ishin “masakruar në mënyrë brutale”, por ai nuk e ka përdorë fjalën “gjenocid”.
Ministria e Jashtme e Turqisë i ka cilësuar komentet e Barack Obamës si “të anshme” dhe shtrembërim të “fakteve historike”.
Armenia dhe pjesa më e madhe e historianëve pajtohen se vrasjet gjatë periudhës së Perandorisë Osmane ishin gjenocid.
Por shumë në Turqi argumentojnë se vrasjet ishin bërë në kaosin e luftës.