E Diel, 1 Nëntor 2026

Laze: Mbetem president, mos ia qani hallin Elbasanit!

Për të sqaruar situatën e krijuar ditët e fundit, Arben Laze thekson se do të qëndrojë në krye të skuadrës, duke garantuar të ardhmen e saj    Nga Elton Karaj Ngjarjet kanë marrë një tjetër rrjedhë nga ajo që ishte parashikuar tek Elbasani, pas lajmit për ngrirjen e aksioneve të presidentit Arben Laze. Ky i fundit ka vendosur ta thyejë heshtjen dhe në një prononcim për Sportin shqiptar shprehet se do të vazhdojë të qëndrojë në krye të skuadrës. Madje, ai shkon edhe më tej, duke konfirmuar stafin teknik. Së shpejti Elbasani do të rifillojë stërvitjen për sezonin e ri. Më 15 korrik skuadra do të nisë punën, me qëllimin që të jetë gati, kur të nisë kampionati i Kategorisë së Parë. Nuk do të ketë asnjë ndryshim në stafin teknik, pasi, pas mbledhjes së aksionerëve, vendosëm ti besojmë trajnerit File dhe zëvendësit të tij Dosti. Ne do ta vazhdojmë seriozisht punën për ta ringritur skuadrën në nivele të larta, pra në Superligë, kështu që do të synojmë vendet e para. Shumë shpejt do të kompletohet grupi, që mendoj se do të jetë nga më të mirët e kampionatit, një pretendent i denjë për kreun, pavarësisht pengesave që duan të na nxjerrin ditë pas dite, – thekson presidenti Laze. Garancia Numri 1 i skuadrës verdheblu kërkon të qetësojë tifozët, duke garantuar se e ardhmja e Elbasanit është e sigurt: Sigurisht që do të vazhdoj të qëndroj në krye të Elbasanit për sa kohë do të kem mundësi. Nuk shqetësohem nga fjalët për largimin tim. Janë vetëm fjalë dhe askush nuk duhet të merakoset për të ardhmen e Elbasanit. Eshtë dikush, që i ka dalë për zot kësaj pune. Elbasani do të vazhdojë të jetë një nga skuadrat elitare në futbollin shqiptar, duan apo nuk duan të tjerët. Shohim vetëm përpara, edhe pse ka njerëz, që punojnë kundër interesave të skuadrës. Një ditë këta persona do të marrin përgjigjen e merituar nga rezultatet, që skuadra jonë do të arrijë në vazhdim, – ka shtuar Laze. Bosi i verdhebluve e thotë me forcë se Elbasani nuk do të jetë kurrë në krizë për lojtarë cilësorë. Ai shprehet se çdo sezon nga akademia verdheblu kanë dalë shumë talente, të cilët sot aktivizohen me sukses me skuadrën e parë, madje ka edhe nga ata që janë liderë në disa skuadra të Superligës. Financat Në fund presidenti Laze sqaron se shumë shpejt do të shlyhen të gjitha detyrimet financiare të sezonit të kaluar për lojtarët me kontratë: Për anën financiare dua të them se e gjithë bota është në krizë dhe jo vetëm Elbasani. Unë, si president i skuadrës së Elbasanit, deklaroj se deri në fund të muajit, të gjithë lojtarët që ishin pjesë e skuadrës sezonin që shkoi, do të marrin të gjitha pagat e prapambetura. U premtoj lojtarëve se do të marrin atë që u takon për atë që dhanë në fushë sezonin që kaloi për fanellën verdheblu, – ka përfunduar presidenti i Elbasanit, Arben Laze.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›