Në QSUT, qendër për transplantin e organeve

Mjekët në QSUT, foto arkiv
Në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza do të ngrihet një qendër kombëtare transplantesh gjatë muajit shtator.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili ka thënë se qendra e transplantove në QSUT është një bashkëpunim zyrtar formal me Italinë dhe që hap rrugë të madhe, jo vetëm për perfeksionimin e mekanizmave tona, por edhe i hap rrugën edhe formimit të grupit të ekipit të transplanteve.
Ekipi transplanteve mundëson zgjidhjen e këtij problemi për një kohë të gjatë dhe njëkohësisht u jep përgjigje edhe kërkesave jetike të pacientëve të caktuar, të cilët kanë nevojë për ndërhyrje të tilla, duke patur prioritet në radhë të parë transplantin e veshkave dhe në rrugë e sipër në vitet që do të pasojnë, duke formuluar edhe ambicie më të mëdha se kaq,- tha ministri i Shëndetësisë, Vasili.
Ndërsa mjekët italianë janë shprehur se kanë një përvojë disa vjeçare në transplantin e veshkave, dhe sipas tyre do të punohet me stafin shqiptar për ta përcjellë këtë përvojë. Kjo nismë ka si qëllim edhe të ndihmojë ata persona të cilët nuk kanë mundësi të paguajnë për transplantet në klinika private. /E.L/