E Diel, 1 Nëntor 2026

Sistemi i ri i vlerësimit, mjekët do të vlerësohen me kredite

Ky sistem do të shërbejë për të përcaktuar vendin e punës dhe pagën që meritojnë. Godo: “Mjekët të vlerësohen me kredite në kurset e ndryshme specializuese”

Emanuela Sako

Mjekët duhet të vlerësohen nëpërmjet krediteve që do të marrin gjatë kurseve për specializimin e tyre. Ky do të jetë sistemi i ri që do të aplikohet nga Ministria e Shëndetësisë për vlerësimin e mjekëve në të gjithë vendin. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, sqaroi se mjekët duhet të vlerësohen nëpërmjet pikëve të marra nga kurset apo trajnimet përkatëse që ata do të ndjekin gjatë specializimeve, sipas profilizimit që kanë. Kështu, në bazë të pikëve të marra, do të bëhet dhe kualifikimi ose jo i mjekëve, ku do të testohen dijet e tyre në fushën përkatëse, të sistemit mjekësor ku ata bëjnë pjesë. Në bazë të këtij vlerësimi do të përzgjidhen në vendet e punësimit të gjithë mjekët që janë në garë për një vend pune.
Kualifikimi
Ministrja e Shëndetësisë theksoi se në vendin tonë është ngritur një qendër e tillë, që merret me edukimin e vazhdueshëm dhe trajnimin e bluzave të bardha. Sipas saj, deri tani ka munguar vlerësimi me kredite që duhej t’u bëhej të gjithë mjekëve, në fund të trajnimeve apo kurseve. Mjekët që do të marrin pjesë nëpër trajnime apo kurse, që njihen nga Ministria e Shëndetësisë, do të pajisen me një certifikatë ku do të shënohen edhe pikët e marra gjatë trajnimit. Mjekëve do t’u njihen pikët e marra për të bërë vlerësimin e pranimeve në punë. Në kursin e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Shoqatën e Mjekëve të Hipertensionit dhe mjekët kardiologë të QSUT-së, u fol me detaje rreth sëmundjeve që sjell hipertensioni arterial në botë dhe në Europë. Në vendin tonë shifrat kanë ardhur në rritje.
Mjekët
Përveç testimit të parë që u bëhet mjekëve nëpërmjet mesatares së diplomës së universitetit dhe më pas specializimeve të ndryshme, tashmë do të vendoset edhe mënyra e vlerësimit nëpërmjet krediteve të marra në trajnime. Në këtë mënyrë do të mund të punësohen mjaft mjekë që punojnë në rrethet e largëta të vendit. Këta mjekë janë të distancuar nga trajnimet e shumta të mjekëve që bëhen në kryeqytet nëpërmjet MSH-së apo shoqatave të ndryshme mjekësore. Ky është një problem që ministrja Godo e ka prekur pak kohë më parë, duke kërkuar trajnim të vazhdueshëm edhe për këtë kategori. Për këtë pjesë të sistemit mjekësor në vend janë më të rëndësishme pjesëmarrjet në këta takime ku shkëmbehen eksperiencat dhe lëvrimet më të fundit në fushën e mjekësisë. Njëkohësisht, ky do të jetë një hap para për punësimin e mjekëve në zonat e thella që kanë mungesë të stafit mjekësor.

Rreth 3.5 për qind e sëmundjeve që prekin fëmijët janë të natyrës epileptike

Rreth 3.5 për qind e sëmundjeve që prekin fëmijët janë të natyrës epileptike. Incidenca e rasteve te të vegjlit, sipas mjekëve, duket se nuk përbën ndonjë dallim të madh nga vendet e tjera. Një ndër shkaqet e shfaqjes së epilepsisë te fëmijët është temperatura tepër e lartë. Epilepsia ka disa forma të shfaqjes së saj, por disa prej tyre janë të rralla dhe të rrezikshme dhe ato konsiderohen nga mjekët të një rëndësie të veçantë dhe kërkojnë një trajtim rigoroz. Format e ndryshme të epilepsisë kanë qenë objekt i konferencës së 6-të të Shoqatës së Neuropediatrisë Shqiptare. Në këtë konferencë ka marrë pjesë ministrja e Shëndetësisë Anila Godo, drejtoresha e qendrës spitalore “Nënë Tereza”, Gjeorgjina Kuli, si dhe specialistë të fushës. Në vendin tonë përqindja e fëmijëve të prekur nga epilepsia përbën rreth 3.5 për qind të sëmundjeve të fëmijëve. Valentina Tashko, kryetare e Shoqatës Neuropediatrike Shqiptare, theksoi se më të shpeshta janë rastet e epilepsisë të shkaktuara nga temperatura. “Këto sëmundje janë shumë të rënda, janë refraktare, nuk përgjigjen ndaj mjekimeve me antiepileptikë dhe janë invalidizuese”, - u shpreh doktoresha Tashko. Sipas saj, ato mund të shkaktojnë prapambetje të intelektit, të sferës njohëse, por dhe pasoja të tjera që janë mjaft të vështira si për ta, ashtu edhe për familjen dhe mjedisin ku jetojnë. Epilepsia paraqitet në forma të ndryshme, ndërkohë që këta persona trajtohen si nga ana mjekësore me antiepileptikë, por edhe nga ana sociale dhe të intelektit me trajtime nëpër qendrat e shumta apo edhe me riaftësim fizik e mendor.
Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, në fjalën e saj vlerësoi shërbimin e neuropediatrisë, i cili, sipas saj, ka gjetur rrugën se si të perfeksionojë veten. Duke bërë një historik të këtij shërbimi në vendin tonë, Tashko u shpreh se ky shërbim u themelua nga doktor Drishti, pas një specializimi në vitin 1973 në Francë. Shërbimi u krijua 36 vjet më parë pranë Shërbimit të Pediatrisë në qendrën spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë me një kapacitet prej 15 shtretërish.

9 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›