E Diel, 1 Nëntor 2026

Akademia e Shkencave, Gudar Beqiraj zgjidhet kreu i ri i saj



Akademiku dhe profesori i njohur i Inxhinierisë së Informacionit, Gudar Beqiraj, do të jetë kreu i ri i Akademisë së Shkencave. Pas një maratone të gjatë votimi prej katër orësh, Asambleja e Akademisë së Shkencave ka zhvilluar ditën e djeshme zgjedhjet për Kryesinë e Akademisë (të kryetarit, të zëvendëskryetarit, të sekretarit shkencor dhe të kryetarëve të dy seksioneve të Akademisë). Votimi për zgjedhjen e posteve drejtuese në Akademi ka nisur në orën 10 të paradites së djeshme. Në votim, nga 40 akademikë të rregullt dhe të asociuar të Akademisë, kanë marrë pjesë 38 prej tyre. Dy akademikët që munguan në këto zgjedhje ishin Ismail Kadare dhe Artan Fuga, por ky i fundit e ka dërguar me postë votën e tij për kreun e ri të Akademisë, votë e cila është numëruar bashkë me të tjerat. Para nisjes së votimit, kreu aktual i Akademisë së Shkencave, gjeofizikanti Teki Biçoku, ka sqaruar procedurat që duhet të ndiqeshin gjatë këtij procesi. Menjëherë pas mbarimit të fjalës së tij, ka nisur votimi për kryetarin e ri të Akademisë, proces që zgjati për më shumë se një orë, pasi u zhvillua në dy raunde. Në raundin e parë të votimit Gudar Beqiraj mori 16 vota, Kolec Topalli 18, Apollon Baçe 4 vota. Duke qenë se kandidati për kryetar duhet të merrte të paktën 21 vota për t’u shpallur fitues, u përsërit votimi për Beqirajn dhe Kolecin. Në raundin e dytë të votimit, Gudar Beqiraj mori 21 vota, kurse Koleci 17. Pas zgjedhjes së kryetarit, akademikët kanë votuar për nënkryetarin e Akademisë, post të cilin e ka fituar Myzafer Korkuti, për këtë post kandidonte edhe Fatos Kongoli. Sekretar i Seksionit të Shkencave Albanologjike është zgjedhur Emin Riza, kurse sekretar i Seksionit të Shkencave Natyrore, Dhimitër Haxhimihali.
J. Tashi

9 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›