U-21, më 22 gusht miqësore luksi Angli-Shqipëri

Albania-sport- Shqipëria U-21 ka shumë mundësi të luajë një miqësore luksi me homologët e tyre anglezë, më 22 gusht 2007. Lajmi është dhënë për Albania-sport nga zëdhënësi i Federatës Shqiptare të Futbollit, Lysjen Nurishmi. "Ajo që është dhe më e rëndësishmja është fakti se kërkesën e ka bërë vetë Federata Angleze, teksa ne e kemi pranuar ftesën", saktëson Nurishmi. Takimi do të luhet në Angli, ndërsa ende nuk është përcaktuar stadiumi në të cilin do të zhvillohet takimi. "Programimi i kësaj ndeshje është arritur me ndërmjetësimin e kompanisë "Sportfive", jep edhe një tjetër detaj Nurishmi.
Kombëtarja e Shpresave do të luajë një miqësore me Maqedoninë, më 28 mars 2007, ndërsa ka luajtur edhe dy të tjera me Turqinë (0-2) në Stamboll dhe Greqinë (3-1) në Athinë.
Shqipëria U-21 ndodhet në Grupin 1 së bashku me Italinë, Kroacinë, Greqinë, Azerbajxhanin dhe Ishujt Faroe për Kampionatin Europian U-21, finalet e të cilit do të zhvillohen në Suedi në qershor të vitit 2009.
Për eliminatoret e atij kampionati Anglia ndodhet në Grupin 3 se bashku me Portugalinë, Bullgarinë, Irlandën e Veriut dhe Malin e Zi.
Në listën e "Tri luanëve" ndodhen lojtarë të tillë si Teo Uollkot, Daren Bent, Xhon Uelsh, Stivën Tejlor. Në finalet e Kampionatit Europian 2007, Anglia ndodhet në grupin B së bashku me Italinë, Serbinë dhe Republikën Ceke. Formacioni anglez U-21 arriti dy fitore me seleksionin homolog gjerman (1-0), 2-0) në fazën e play-offit para finaleve të turneut që do të luhen në Holandë në qershor të vitit 2007. Në eliminatoret e Kampionatit Europian 2007, Shqipëria ndodhej në Grupin 2 së bashku me Spanjën (0-3) dhe Sllovakinë (0-0).