E Shtunë, 31 Tetor 2026

U-21, sot Shqipëri-Skoci



Ekipi Kombëtar U-21 do të përballet sot në Elbasan (15:30) me Skocinë, në të parën ndeshje nga dy përballjet me britanikët, përfshirë dhe ndeshjen e kthimit në Falkirk, më 1 prill. Takimi është i vlefshëm për eliminatoret e Kampionatit Europian 2011.
Trajneri i Shpresave të Shqipërisë, Artan Bushati, beson te grupi i lojtarëve që ka thirrur dhe shpreson në mbështetjen e tifozerisë në “Ruzhdi Bizhuta” për të arritur një rezultat pozitiv kundër një kundërshtari, që ka në gjirin e tij lojtarë që luajnë në kampionatet angleze e skoceze të niveleve të ndryshme. Për shkak të dëmtimit, vijës së parë sulmuese do t’i mungojë Hysa (Teuta), ndërsa Shehaj (Flamurtari) kaloi disa ditë me temperaturë. Samir Ujkani, i cili u thirr për të mbrojtur portën, u bashkua me Kombëtaren A pas dëmtimit të Beqajt. Në sulm trajneri Bushati ka në dispozicion Filipin (Ravena, Itali), Januzi (Vorskla Poltava, Ukrainë) e Malindi (Spartak Varna, Bullgari). Regjia e mesfushës do t’i besohet Jahmir Hykës (Mainc 05, Bundesliga 2, Gjermani), ndërkohë që mesfushor Semiran Çela (Angers, Francë 2) do të rreshtohet në mbrojtje. Në “Ruzhdi Bizhuta” do të jenë një numër jo i vogël zbuluesish të huaj për të parë në aksion “kuqezinjtë” e vegjël, ku në qendër të vëmendjes do të jetë portieri i talentuar i Flamurtarit, Shpëtim Moçka.

28 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›