E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e pronarit të “Univers”, i akuzuari para Krimeve të Rënda

• TIRANE – Gjykata e Krimeve të Rënda pritet të caktojë sot masën e sigurisë ndaj 27-vjeçarit Armand Hasani, person i dyshuar si pjesëmarrës në vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, pronar i kompleksit “Univers” në Elbasan. Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila po zhvillon hetimet për këtë ngjarje dhe një serial vrasjesh të lidhura me të, ka kërkuar dje nga togat e zeza vlerësimin e masës së sigurisë ndaj Armand Hasanit. Ai mësohet se paraprakisht nuk ka pranuar asnjë nga akuzat që i janë komunikuar prej hetuesve të Policisë dhe Prokurorisë, pas arrestimit në një hotel në autostradën Tiranë-Durrës. Gjithsesi organi hetimor i Krimeve të Rënda pretendon se ka siguruar prova dhe dëshmitarë për të mbështetur dyshimet se, Armand Hasani ka qenë njëri prej personave që në 27 dhjetor 2005 ka qëlluar me armë zjarri, duke lënë të vdekur Sokol Çapjen, biznesmen nga qyteti i Elbasanit. Masa e sigurisë e kërkuar nga Prokuroria për Armand Hasanin është mbajtja e tij në qeli deri në përfundim të hetimeve. I akuzuari 27-vjeçar u arrestua nga agjentët e policisë në një hotel kur ndodhej bashkë me të fejuarën, mbrëmjen e 5 marsit 2008. Policia kishte siguruar informacione për kthimin e Armand Hasanit në Shqipëri pas një qëndrimi të tij të gjatë në Greqi dhe në Itali. Gjatë arrestimit, të dyshuarit i janë sekuestruar dy pistoleta të mbushura dhe të gatshme për të qëlluar që mbaheshin me vete nga 27-vjeçari. Ai dyshohet se bashkë me mikun e tij Dritan Sheme, ka marrë pjesë në atentatin ndaj Sokol Çapjes në dhjetorin e tre viteve më parë. Dritan Sheme, sipas policisë, është vrarë në tetor 2006 në Tiranë në shenjë hakmarrje për pjesëmarrjen e tij në ekzekutimin e Sokol Çapjes. Pasi ka marrë pjesë në këtë krim, sipas dyshimeve të policisë, i arrestuari Armand Hasani është larguar nga Shqipëria për t’u kthyer pak kohë më parë. Ai dyshohet se kundrejt pagesës ka kryer edhe disa krime të tjera në Elbasan dhe në qytete të tjera të vendit. Pas arrestimit të tij, Policia dhe Prokuroria kanë zgjeruar hetimet për veprimtarinë e të dyshuarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›