E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italianët: Duam dëshminë e Pajës

• Arrestimi i Ilir Pajës në Tiranë duket se ka qenë një lajm i mirë për policinë italiane, e cila ishte vënë në ndjekje të shqiptarit që më 14 korrik 2007, pasi ai u arratis në mënyrë spektakolare nga burgu ku vuante dënimin.Trazhgim SokokajBurime nga organet e hetimit në Tiranë, konfirmojnë se policia italiane ka kërkuar të sjellë dy hetues të saj në Tiranë për të marrë në pyetje Ilir Pajën. Ndaj tij në Itali rëndojnë akuzat e “shfrytëzimit të prostitucionit”, “sekuestrimit të personit” dhe “përdhunimit”, ndërsa ai pritet që veç këtyre akuzave të japë sqarime për hetuesit italianë edhe lidhur me arratisjen e bujshme nga makina e burgjeve italiane më 14 korrik 2007. Ndërkaq ditën e djeshme, hetuesit shqiptarë tentuan të merrnin në pyetje Ilir Pajën dhe t’i komunikojnë akuzën lidhur me tentativën e vrasjes që ai ka kryer ndaj agjentit të policisë shqiptare, që ishte vënë në ndjekje të tij në Tiranë. Sipas burimeve nga hetimi, mësohet se Ilir Paja nuk ka qenë në gjendje të japë sqarime për hetuesit për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore në të cilën ndodhet. Ai arriti të qëllojë disa herë me armë mbi agjentin e policisë, madje ta godasë atë me makinën e tij duke i shkaktuar dëmtime serioze, por nuk shpëtoi me kaq. Fillimisht Ilir Paja është goditur nga predhat e armës së një polici të dytë që ndodhej në vendin e ngjarjes, pranë ish-farmacisë nr.10 në Tiranë. Më pas, i shumëkërkuari i plagosur me armë nga polici i dytë, është arrestuar pa mundur të largohet më shumë se shtatë metra nga vendi i krimit. Pavarësisht gjendjes së tij shëndetësore, Ilir Paja ditën e sotme pritet të njihet me masën e sigurisë, e cila sipas kërkesës së bërë nga Prokuroria, është “burg pa afat”. Përveç tentativës së vrasjes së agjentit të policisë, krim i kryer prej tij në Tiranë, Paja ndodhet në listën e Interpol Tirana si person i kërkuar për vrasje në Gjermani dhe disa krime të tjera në Itali. Hetuesit thanë se në momentet e vetme kur Ilir Paja ka mundur të flasë, ai ka lënë të kuptohet se nuk e dinte që personi ndaj të cilit qëlloi me armë ishte efektiv i policisë. Ky variant duket i pabesueshëm për Prokurorinë, e cila ka informacione se Ilir Paja kishte dijeni se po ndiqej për t’u arrestuar nga agjenti i Policisë Kriminale, që mbeti i plagosur rëndë tri ditë më parë. Pasi ka marrë mjekim për plagët që pësoi, Ilir Paja, 35 vjeç, nga Berati, po mbahet në një ambient të fortifikuar mirë në dhomat e izolimit të policisë së Tiranës.
I kërkuariIlir Paja, person i shumëkërkuar në Itali dhe në Gjermani, dyshohet se ka hyrë në Shqipëri në rrugë ilegale rreth dy muaj më parë. Pavarësisht se ai kishte vënë në përdorim dokumente me identitet të ndryshuar, policia kishte arritur të merrte informacion për qëndrimin e tij në Tiranë dhe në një qytet tjetër dhe ishte vënë në ndjekje të tij. Tashmë dosjes
së Ilir Pajës i është shtuar edhe akuza e plagosjes së rëndë të agjentit të policisë, që ishte vënë në ndjekje të tij. Oficeri i plagosur nga Ilir Paja, në gjendje të rëndë në TiranëTIRANE – Agjenti i Policisë Kriminale, i cili tri ditë më parë është plagosur nga Ilir Paja, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spital. Edhe gjatë ditës së djeshme ai është vizituar nga familjarë dhe të afërm të tij si dhe nga kolegë të shumtë. Mjekët shprehen se gjendja shëndetësore e agjentit të Sektorit të Operacioneve Speciale të policisë së Tiranës paraqitet delikate, ndërsa ai ka nevojë për trajtim të specializuar mjekësor jashtë vendit. Një gjë e tillë ende nuk është realizuar në fakt, edhe pse zyrtarët e Qeverisë dhe të Ministrisë së Brendshme janë shprehur se do të ndihmonin në mundësimin e kurimit jashtë vendit për oficerin e policisë. Një ditë para se të plagosej rëndë nga Ilir Paja, agjenti i policisë kishte marrë pjesë në një tjetër operacion të zhvilluar në Tiranë, me shkallë të lartë rrezikshmërie, por që kishte përfunduar me sukses dhe me arrestimin e një të kërkuari për akuzat e disa vrasjeve të ndodhura në disa qytete të Shqipërisë. Sipas të dhënave policore, mësohet se Ilir Paja ndiqej prej më shumë se një muaji në Tiranë, pasi agjentët e sektorit të vëzhgimit dhe operacioneve speciale kishin marrë të dhëna për mbërritjen e tij në vendlindje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›