E Diel, 1 Nëntor 2026

Vidhte makina, pranga të superskeduarit

• Një 34-vjeçar nga Durrësi është arrestuar në kushtet e flagrancës teksa tentoi të grabiste një autoveturë luksoze.DURRES/ OERD ULQININgjarja e cila ka mobilizuar një skuadër të tërë policie ka ndodhur në orën 23:00 te parkimi i “Pallatit të sportit” në Durrës. Informacioni se përballë ndodhej Artan Andoni, një njeri me aktivitet të gjerë kriminal ka detyruar blutë e Durrësit ta kryenin arrestimin në masa të larta gatishmërie. Të veshur me antiplumb, dy efektivë të antikrimit të Durrësit e kanë neutralizuar me veprime prej profesionistësh Andonin, i cili nuk ishte i armatosur kur tentoi të grabiste autoveturën “Benz”. Andoni ishte një person që survejohej vazhdimisht nga blutë e Durrësit, për faktin se kishte një skedë të pasur penale, për të cilin polici të disa vendeve evropiane kishin njoftuar në kohë homologët shqiptarë. Mësohet se gjatë prangosjes 34-vjeçari nuk ka bërë rezistencë. Artan Andoni, banor i lagjes 17 të Durrësit zotëronte një skedë të “pasur” penale që nga vrasja, te shpërndarja e drogave, plagosja me dashje e deri te vjedhjet e automjeteve. Andoni është dënuar më parë për veprën penale të vrasjes së një shtetasi gjerman. Ai ka vuajtur vetëm gjashtë vite burg në Gjermani për faktin se ishte i mitur kur ka kryer krimin. Burime nga policia e Durrësit njoftojnë se Andoni ka qëndruar në qeli edhe në Itali, ku ka konsumuar dy vepra të rënda penale, si vjedhje automjetesh dhe plagosje me dashje, të cilat i kanë kushtuar atij dy vjet e tetë muaj burgim. Më pas i riatdhesuar nga policia italiane Andoni është arrestuar në Shqipëri për veprën penale të prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike, e cila i kushtoi 16 muaj burg. Kjo është hera e dytë që 34-vjeçari i superskeduar prangoset nga policia shqiptare, por kësaj here ai do të vihet përballë togave të zeza për një vepër penale të përsëritur. Në bazë të informacioneve të marra nga Interpoli rezulton se, Artan Andoni ka ekzekutuar një shtetas gjerman në vitin 1991, kur strehohej në një kamp azilantësh për të mitur. Burime nga policia e Durrësit saktësuan se, “atëherë 17-vjeçari durrsak, Andoni ishte përzier në një rrjet shpërndarësish droge, ku pas një zënke për larje llogarish kreu edhe vrasjen”. Pavarësisht se kishte kryer një krim tejet të rëndë ai e shleu shpejt dënimin përpara drejtësisë gjermane, duke përfituar nga legjislacioni për të miturit. I përjashtuar nga territori gjerman ai më pas gjeti strehë në Itali, vend në të cilin sërish do të ishte kontingjent krimi. Por nuk do të zgjaste shumë kohë, pasi edhe shteti italian do t’i jepte Andonit një dekret espulsioni, në sajë të të cilit ai u riatdhesua në Shqipëri afro katër vjet më parë. Tashmë ndaj tij rëndon akuza e “dëmtimit të pasurisë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›