Projekti në sheshin “Skënderbej” duhet të ndryshojë, punimet po kryhen pa leje

Flet ish kryetari i bashkisë së Tiranë, Albert Brojka
Ish kryebashkiaku i Tiranës, Albert Brojka shprehet se Tirana do ndryshojë pozitivisht gjatë qeverisjes së saj nga Lulzim Basha. Brojka thotë se punën e tij zoti Basha duhet ta nisë nga problemet më imediate të kryeqytetit siç është trafiku, infrastruktura dhe taksat. Ish kryebashkiaku Brojka, mbështet qëndrimin e Bashës, kur thotë se projekti për sheshin “Skënderbej”, duhet të ndryshojë, pasi aktualisht punimet aty po kryehen në mënyrë të paligjshme. “Projekti për sheshin “Skënderbej”, mund të ndryshojë, pasi punimet në këtë shesh po kryhen pa leje. Në sheshin e Tiranës, po punohet pa leje. Aty ka një studim të miratuar nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës, por jo nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë. Nëse nuk është miratuar nga Këshilli i madh është njësoj sikur punohet pa leje. Është lejuar, që zoti Rama të kryejë punimet vetëm për nëntokën dhe pastaj të punojë me një studim të miratuar. Në këtë kuadër, zoti Basha mund të ndërhyjë në atë studim, të bëjë vërejtjet përkatëse, sepse nuk është ligjëruar”- u shpreh ai. Sipas tij, “për të ngritur një objekt, duhet leje ndërtimi dhe leje shfrytëzimi. Nëse hipoteka nuk ka arritur të hipotekojë një objekt, që ka pasur leje ndërtimi, arsyeja ka qenë se nuk ka pasur leje shfrytëzimi. Nëse ka një konflikt të tillë, i takon Lulzim Bashës të ngrejë një grup pune e të marrë në shqyrtim objektet që qëndrojnë në hipotekë për të analizuar pse po pengohet hipotekimi i tyre”- shpjegoi Brojka. Ish kryebashkiaku, Brojka deklaron se për Lulzim Bashën tri janë sfidat emergjente; ulja e taksave për biznesin, ndërtimi i unazës së madhe dhe zgjatimi i Bulevardit nga Stacioni i Trenit deri tek Bregu i Lumit.