U filmuan duke marrë ryshfet, drejt shkarkimit shtatë policë
Shtatë policë të Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë së Fierit do të humbasin punën për shkak se janë kapur duke marrë ryshfet. Lajmi bëhet i ditur për gazetën "Shqip" nga burimet zyrtare të policisë, që sqarojnë se pasditen e së mërkurës janë komunikuar edhe emrat e shtatë policëve që shpërdoronin detyrën. Burimet policore tregojnë se një ekip i përbërë nga specialistë të Ministrisë së Brendshme dhe specialistë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë kanë bërë një inspektim në rrugët e territorit të Fierit për disa ditë me radhë. Me anë të investigimit, duke përdorur edhe kamera të fshehta, ata kanë filmuar momentet kur efektivët e policisë së qarkullimit rrugor merrnin lekë nga drejtuesit e mjeteve. Afro një javë investigim, që u zhvillua në orare të ndryshme, ka nxjerrë "të zbuluar" uniformat blu të qarkullimit të Fierit. Pas përvetësimit të të gjitha provave filmike, ekipi i Tiranës ka nisur hetimin dhe bërë propozimet për marrjen e masave ndëshkimore ndaj policëve të kapur në shkelje. Inspektimi u organizua pas disa sinjalizimeve nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Fierit. SHKB-ja kishte marrë me dhjetëra denoncime nga shoferët, të cilët pohonin se u kishin dhënë ryshfete policëve rrugorë, pasi ishin kërcënuar për bllokim mjeti apo dokumentesh. Mësohet se mes shtatë policëve të kapur në shkelje bëjnë pjesë efektivë të futur në radhët e policisë gjatë muajve të fundit. Largimi i tyre nga detyra do të vijë në një moment kur qarkullimi rrugor në Fier po përballet, ashtu si dhe në të gjithë vendin, me një fluks të madh automjetesh, për shkak të kthimit të shumë emigrantëve.