E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama ndërron sloganin,tur në bazë:Hap kutitë,liro vizat



Gëzim Ashimi / Aldo Kozare

Kryetari socialist Edi Rama vazhdoi dje turin e tij të falënderimeve dhe sqarimit të pozicionit të PS në Korçë e Elbasan. Në takimin me Asamblenë socialiste të Korçës, Rama ka falënderuar gatishmërinë e treguar nga deputetët dhe simpatizantët e këtij qarku për të protestuar dhe për të hyrë në grevën e urisë. "Në këtë betejë që është përtej çdo interesi të pjesshëm, e që ka sot si qëllim mbrojtjen e një interesi të madh publik, ne nuk do të ndalemi derisa të realizojmë qëllimin tonë. Sepse nuk bëhet fjalë vetëm për transparencën e një procesi që lidhet më me një rezultat zgjedhjesh, dhe se cila palë ka të drejtë, por për të vendosur në themelin e bashkëjetesës sonë shoqërore një kontratë midis qytetarit dhe Qeverisë të bazuar në vullnetin e qytetarit", tha në fjalën e tij kreu i PS-së. Por sipas tij, beteja e tyre nuk ka mbaruar, por vetëm është ndalur për t'i hapur rrugë dialogut dhe i kërkoi socialistëve të mos ndjehen të paqartë dhe të zhgënjyer. "Jemi tani në një stacion ku jemi ndalur për t'i dhënë zgjidhje krizës me mundësinë e dialogut. Ne nuk jemi një forcë e cila bojkoton Parlamentin, se del në protesta dhe hyn në grevë urie sepse nuk është në gjendje të bëjë diçka tjetër, por sepse ne jemi në gjendje të reagojmë me të gjitha mjetet si alternativa më e madhe dhe më e rëndësishme qeverisëse e këtij vendi. Prandaj askush të mos ndihet i lëkundur dhe i pa qartë kur ne ulemi për dialog që të zgjidhim krizën", tha kryetari i socialistëve në këtë takim. Sipas Ramës "është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm se ne arritëm shumë më tepër se sa mendonim , duke përmbysur tërësisht një situatë ku ne ishim të rrethuar nga verbëria dhe shurdhëria e të gjithëve në kushtet kur ishim të grabitur. Kjo u arit duke besuar tek e drejta jonë, të cilën fillimisht e besonim vetëm ne".
Elbasan
Në qytetin e Elbasanit, gjatë një takimi me deputetët dhe socialistët e këtij qarku, ku ishin prezentë dhe grevistët e urisë, kreu socialist tha se "kjo grevë dëshmoi se në këtë parti dhe në këtë forcë opozitare ka një forcë morale të madhe. Kjo grevë e ka afruar më shumë se asnjëherë tjetër fjalën tonë me veprën, dhe kjo dëshmon se ne besojmë në ato që themi dhe themi ato që besojmë". "Fakti që kjo çështje është e shtruar në një tryezë, ku tani më nuk janë thjeshtë palët që e përfaqësojnë popullin shqiptar, por edhe miqtë e partnerët tanë ndërkombëtar, është domethënia më e madhe e arritjeve konkrete të kësaj përpjekjeje. Dhe ja ku kemi arritur në një pikë ku çështja është shtruar për zgjidhje dhe nga ku nuk ka kthim mbrapa, jo thjesht për ne, por nuk ka kthim mbrapa për të gjithë popullin shqiptar", u shpreh Rama. Sipas tij, zgjedhjet e ardhshme do të shihen nga njerëzit me një sy tjetër, pasi është rritur ndjeshmëria ndaj tyre. Kreu socialist akuzoi nga Elbasani kryeministrin Berisha se frika për hapjen e kutive vërteton korrupsionin elektoral. "Nuk ka asnjë shpjegim tjetër refuzimi për t'i hapur kutitë e për të bërë transparencën e atyre zgjedhjeve në sytë e të gjithë publikut. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër që njeriu që i thotë vetes fitimtar e ka të pamundur të tregojë trofeun e betejës së tij, sepse në fakt në ato kuti nuk gjendet trofeu i betejës, por gjendjet krimi i tjetërsimit të rezultatit të betejës", u shpreh Rama.

Slogani i ri
Turi i ri i kryetarit socialist në qytetet kryesore të vendit pas grevës së urisë dhe nisjes së negociatave për zgjidhjen e krizës zhvillohet nën një slogan të ri politik. "Hap kutitë, Liro vizat, çliro ekonominë", është deviza e re e socialistëve dhe e kryetarit të saj. Ndryshe nga më parë, selia rozë mundohet të mbajë sekret deri ditën që shfaqen në publik, sloganet dhe turet e kryetarit socialist. Qëndrimi opozitar i PS pas zgjedhjeve të 28 qershorit përmes sloganeve ka treguar dhe ulje ngritjet e qëndrimeve të saj. "Ku është vota ime", ishte nisja e protestave tetorin e shkuar, për të kulmuar me "Hap kutitë ose largohu" gjatë protestës, ndërsa sot, socialistët dalin me një version më të zbutur, "Hap kutitë, Liro vizat, çliro ekonominë".

Situata ekonomike
Gjatë fjalës së tij në teatrin "Skampa" të qytetit të Elbasanit, kreu socialist u ndal dhe tek kapja e shteti nga interesa financiare të pushtetit, duke sjellë çdo ditë mungesë konkurrence në treg dhe rrënim të ekonomisë së vendit, si dhe të ekonomisë së çdo familjeje. Në tërësinë e vet, ekonomia shqiptare vazhdon të përjetojë krizë, vazhdon të përjetojë tkurrje, vazhdon të përjetojë humbje të vendeve të punës, gjë që lidhet drejtpërdrejtë me rënien e nivelit të jetesës së familjeve shqiptare", u shpreh Rama. Sipas tij, mbyllja e perspektivave për punësim, posaçërisht për më të rinjtë, rënia e fuqisë blerëse në çdo familje tregon se ekonomia e vendit jo vetëm nuk po përmirësohet, por po përkeqësohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›