Vizita, Karamanlis sot në Tiranë Marrëveshja që do të firmoset
Kryeministri i Greqisë fillon sot agjendën zyrtare të takimeve në Tiranë.
TIRANË- Kryeministri i Greqisë, Kostas Karamanlis, pritet të mbërrijë sot në Tiranë, për të zhvilluar një vizitë dyditore. Ai do të zbresë në Rinas në mesditë, ku do të pritet nga Kryeministri i vendit, Sali Berisha.
Më pas, agjenda ka paracaktuar një takim mes tij dhe Berishës, ndërsa vetëm pas 20 minutash, do të fillojnë edhe bisedimet zyrtare. Në orën 14.00, në Ministrinë e Punëve të Jashtme do të nënshkruhet marrëveshja për kufijtë detarë, mes ministrave të jashtëm të dy vendeve.
Sipas marrëveshjes, kufiri ujor është ndarë në masë të barabartë për të dyja shtetet me rreth 150 pika ndarëse (nga Korfuzi deri në Vlorë) dhe e vetmja pikë, e cila nuk është përcaktuar akoma, por që pritet të marrë një përgjigje të shpejtë, është ajo ku ujërat detare bashkojnë të tria vendet, Shqipërinë, Greqinë dhe Italinë.
Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, u shpreh para do kohësh se, çështja e kufijve detarë me Greqinë nuk është diskutuar asnjëherë mes dy shteteve, gjatë kohës që ai ka qenë në detyrën e kryediplomatit.
Sipas tij, çështja e kufijve detarë me Italinë dhe Greqinë është ngritur që gjatë periudhës së komunizmit. Por, gjatë viteve '80-të u bë e mundur të përfundohej një marrëveshje vetëm me Italinë, ndërsa me Greqinë nuk u diskutua më. Sipas tij, të vetmet çështje kufijsh me Greqinë kanë qenë ai i lumit Vjosë dhe ajo e piramidave të kufirit tokësor.
Ndërkohë, sot, pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, pritet që të ketë edhe një konferencë për shtyp në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Më pas, Kryeministri i Greqisë, Karamanlis, do të zhvillojë një takim me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka rezervuar gjithashtu një takim me Kryeministrin e Greqisë.
Ky i fundit do të vijojë më pas agjendën me një takim të kërkuar nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, që do të pasojë me një fjalë të tij të mbajtur në Kuvend. Karamanlis do të takohet edhe me Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë Fort Lumturinë e Tij Anastas. Ndërkohë që nuk është njoftuar vizita e ditës së dytë të Kryeministrit grek