U jepet lamtumira e fundit 4 policëve të vrarë në Durrës
TIRANË- Përcillen për në banesën e fundit katër punonjësit e Policisë së Shtetit, Dëshmorë të Atdheut, që cilët humbën jetën një ditë më parë në aksionin për kapjen e Dritan Dajtit.
Në lamtumirën e fundit për dëshmorët Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Saimir Duçkollari kanë qenë të pranishëm, familjarë, të afërm, miq, kolegë dhe autoritetet më të larta të shtetit.
Fjala e lamtumirës është mbajtur nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i cili shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e katër punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët ranë në detyrë një ditë më parë, gjatë një aksioni në Durrës për kapjen e të shumëkërkuarit Dritan Dajti. "Në një ditë zie, i japim lamtumirën e fundit Fatosit, Altinit, Kastriotit dhe Sajmirit, katër heronjve të pavdekshëm, të cilët me jetën dhe gjakun e tyre mbajtën betimin para flamurit dhe atdheut dhe me disiplinë e profesionalizëm u përballën me fytyrën e krimit", tha ministri Nishani.
Ceremonia në nderim të 4 Dëshmorëve nisi në orën 11:20, me homazhet në nderim të tyre që u zhvilluan për mbi një orë e gjysmë në hollin e Pallatit të Kongreseve në Tiranë. Disa qindra qytetarë, personalitete të larta të shtetit dhe fushave të ndryshme, të afërm dhe miq zhvilluan homazhe para trupave të pajetë të 4 policëve të rënë në detyrë.
"Ata ranë në një operacion ndaj njërit prej kriminelëve më të rrezikshëm të Shqipërisë dhe jo vetëm, sepse Dritan Dajti ishte një kërcënim i madh. Me rrjetet kriminale që drejtonte brenda dhe jashtë vendit, ai përbënte një kërcënim permanent për rendin dhe sigurinë", u shpreh për mediat Kryeministri Berisha pas homazheve që zhvilloi në Pallatin e Kongreseve në nderim të të rënëve.
Ndërsa Presidenti i Republikës shprehu ndër të tjera solidaritetin e plotë për forcat e rendit dhe për të gjithë ata që punojnë në çdo sekondë të 24 orëshit për vendosjen e rendit në çdo qelizë të vendit tonë.
Dita e sotme ishte një Ditë Zie Kombëtare për vendin, sipas një vendimi dje në mbrëmje të Këshillit të Ministrave. Të gjitha flamujt kombëtarë në institucionet shtetërore u ulën në gjysmë shtizë, ndërsa u ndërpre çdo aktivitet politiko-kulturor i planifikuar.