Shqipëri moj mburravece!
Këto ditë ka patur foto, lajme dhe komente të shumta për disa arritje e "rekorde" vetjake të Kryeministrit Berisha në sportin e notit. T'i biem shkurt dhe shumë sinqerisht, çdokush ka të drejtën të pushojë, të gëzohet, të bëjë edhe humor; por nganjëherë krijohet përshtypja se jemi duke u qeshur e tallur vetëmevete, pothuaj nëpër ujëra maoceduniste.
Pyetja që shtrohet, është tejet e thjeshtë: A ka ndonjë gjë tjetër, me të cilën mund të mburremi ne? Siç shihet, pyetja nuk cek vetëm Kryeministrin, po edhe ministrat e tij, gjithë institucionet e tjera të vendit, opozitën, përgjegjësinë e qytetarëve në politikë dhe qeverisje përmes votës (jo gjithnjë e motivuar), mediat gjithashtu; më në fund, edhe vetveten.
A kemi arritur ne në ekonomi e në mirëqenien e qytetarëve ndonjë rekord, për të cilin do të duhej të mburreshim? Le t'u besojmë shifrave, jo deklaratave mburravece. Në të dhënat për Prodhimin e Përgjithshëm Bruto për frymë - viti 2008, më e pakta këtu në rajon, Shqipëria ia kalon vetëm Kosovës. Ky tregues domethënës, për Shqipërinë është 6.400 euro, shifër që e rendit atë në vendin e 131-të në botë.
Ndërkohë (në një kurbë ngjitëse) vendet e tjera të rajonit shënojnë përkatësisht: Bosnjë-Hercegovina 6.800 euro, vendi i 127-të; Maqedonia 8.200 euro, vendi i 110-të; Serbia 9.200 euro, vendi i 100-të; më tej, Bullgaria 9.800 euro, Mali i Zi 11.100 euro, Rumania 11.300 euro dhe Kroacia 15.600 euro; (Instituti për Studime Ekonomike i Vjenës-CIA The World Factbook).
Ku janë pra, rekordet tona të vërteta? Së fundi, edhe tregues deri diku të qëndrueshëm, si inflacioni, po lëkunden; nga 2.9% që konstatohej në vitin 2007, tani gjendet 3.4 %, sipas Institutit për Studime Ekonomike të Vjenës dhe 4 % sipas CIA-The World Factbook. Flitet e flitet plot bujë për investimet e huaja direkte. Ka një rritje të tyre në vitet e fundit, por kurrsesi nuk bëhet fjalë për rekorde.
Ndër vendet e rajonit, vetëm Maqedonia dhe Kosova e kanë më të ulët se ne treguesin e investimeve të huaja direkte. Por të mos harrojmë ndërkohë se historia e privatizimeve...është duke u përmbyllur në Shqipëri.
Një "rekord" tjetër që do të duhej arritur prej nesh, ishte ai i liberalizimit të vizave. E kujtojmë këtë, sepse zëvendësshefi i Departamentit Suedez për BE-në, Lars Wahlund, sapo ka kujtuar se Shqipërisë dhe Bosnjës u janë kërkuar reforma, por ato nuk i kanë kryer.
"Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina, patën të njëjtat kritere kryesore, të njëjtën "hartë rruge", sikurse edhe Serbia, Mali i Zi dhe vendet e tjera. Këto vende duhet të bënin reforma dhe ekspertët e komisionit vunë re se nuk ishin përmbushur." Kështu ka thënë ai zyrtari i lartë. Epo, ku ta kërkosh rekordin në këtë mes?
Fundja, këto janë sfida të vërteta dhe jo ri-inaugurimet; as "copëtimi" i opozitës, ndërkohë që as ajo vetë nuk di çfarë ndodhi më 28 qershor dhe ku shkohet më tej.
Rekordet reale kanë të bëjnë gjithashtu me përmbushjen e interesave të pronarëve, me respektimin e shenjtërisë së pronës, parim demokratik, në emër të të cilit u ngritën shqiptarët në vitin '90-të.
Ky problem është ende këtu dhe duhet përballuar. Varfëria dhe papunësia, gjithashtu janë këtu; edhe këto kërkojnë përballje. Të vjen ndot kur i dëgjon politikanët dhe shtetarët shqiptarë të mburren. Të bëhet t'u thuash, bie fjala, nëse e kemi fituar ne betejën kundër ujërave të zeza...
A jetojmë në një vend që synon të urbanizohet dita-ditës? Shko një copë herë aty në Kamëz a në rrethina të tjera, të shikosh se si lundrojnë lagje të tëra në ujëra të zeza.
Mburrjet tona të sjellin ndërmend rrëfenjën për atë zoçkën e shkretë, që sapo mundi të nxjerrë kokën nga një bajgë e ngrohtë, tha pikërisht kështu (Sa ngrohtë!) por e rrëmbeu sakaq një skifter; që do të thotë se kur je i menderosur, nuk duhet të përkëdhelesh.
Është për të ardhur keq, por gjatë kësaj vere të pafat, ne kemi arritur disa rekorde vetëm sa u takon aksidenteve të përgjakshme nëpër rrugët e pasigurta dhe jashtë standardeve.
Statistikat flasin për (pothuaj) dyfishin e aksidenteve, krahasuar me vendet e rajonit(!) Thuhet se kanë ndodhur për shkak të mungesës së sinjalistikës, thuhet se kanë ndodhur për shkak të ngutjes elektorale e ceremonive politike, thellësisht demagogjike. Vlerësohet gjithashtu se ka një papërgjegjshmëri e një çoroditje totale të qytetarëve.
(Sigurisht, nuk u thotë Kryeministri të udhëtojnë të dehur.) Por këtu vijmë te problemi i madh i vetëdijes së brishtë dhe mburrjes kolektive, në tërësi, ashtu kot, siç bënim kur merrnim ato çmimet për ushqimin, edhe pse jetohej me tallona. Vijmë gjithashtu te shpërfillja e rregullave elementare qytetare e morale, një fushë ku ne kemi shumë ç'të rishikojmë.
Dhe nuk po e bëjmë dot, sepse vetëm mburret Shqipëria jonë plot halle. Dhe politikanët e shtetarët e saj. Të gjithë ne, kush më shumë e kush më pak.
Më në fund, padurimi për të patur vetëm rekorde dhe mburrjet allakomuniste, janë edhe njëlloj alibie.
Është një rrafsh ku kemi konsumuar mjaft energji edhe herë të tjera. Alibia tenton të zvogëlojë mosarritjet dhe mungesat e shumta në këtë vend. Tani, pse jo, alibia ka të bëjë edhe me mungesën e standardeve në zgjedhjet e fundit. Mirëpo përmes mburrjeve dhe demagogjisë, nuk u ikim dot problemeve.
Mund të vazhdojmë me premtime, mund të bëjmë fërtele opozitën, mund të thurim edhe histori me rekorde; nuk kemi goditur në shenjë dhe do të na qortojnë sërish. Do të na kujtojnë atë që thoshte Shekspiri dhe që pak a shumë është: "Ky djalë s'ditka pikat se ku vihen..."