E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me letra të hapura



Pamundësia e ndërtimit të një akuze juridike për ministrin e Jashtëm Lulzim Basha nga prokurori ka degjeneruar në një proces “gjyqësor” politik e publik i ngjashëm me farsat që organizonte diktatura komuniste për armiqtë e saj. Duket se politizimi i procesit ka qenë e vetmja armë në duart e prokurorisë dhe të atyre që qëndrojnë pas saj për të justifikuar dështimin e përpjekjeve për të diskretituar e pse jo, për të penguar ligjërisht një nga veprat publike më madhore që nga themelimi i shtetit shqiptar, autorët dhe sidomos impaktin politik e elektoral të saj. Shquhet qartësisht prirja e prokurorisë për të provokuar dhe realizuar një gjyq politiko-mediatik ndaj z. Basha, gjë që synon një diskreditim publik në kuadër dhe interes të drejtpërdrejtë të luftës politike në prolog të zgjedhjeve të reja parlamentare.

Në këtë fazë finale të procesit nuk ka shqiptar që të mos ta ketë kuptuar qëllimin politik që në nisje të një farse të tillë. Duket se edhe vetë ministri Basha, qeveria dhe krejt mazhoranca nuk e parashikuan deri ku mund të shkonte akuza shqiptare në politizimin apo më mirë të themi në përdorimin politik të saj. Duket qartë se çdo përpjekje e Bashës, qeverisë dhe mazhorancës për të qenë korrektë në raport me hetimin e pretenduar nga akuza e Ramës, është keqpërdorur djallëzisht prej saj. Prokuroria ka bërë të qartë kapërcimin e qëndrimit profesional e ligjor të saj në përpjekjet për ta mbajtur nën presion ministrin dhe qeverinë në një çështje ku duket se nuk ka mundur të gjejë asgjë komprometuese, me gjithë përkushtimin thuajse militant të prokurorëve dhe hetuesve të saj. Zonja Rama po luan tani me letra të hapura, duke thyer e zhveshur çdo lloj etike e koperture ligjore që kishte justifikuar deri tani përdorimin politik te saj. Specialistët juridikë pranojnë unanimisht handikapin ligjor e logjik të prokurorisë në kryqëzatën e saj anti-Basha. Vetëm pak ditë para se akuza të shpallte “te pandehur” ministrin, ajo ka kërkuar shtyrjen e periudhës kohore të hetimit me pretendimin se hetimi nuk kishte mbaruar ende. Menjëherë pas rrëzimit të kësaj kërkese nga gjykata, ajo ndryshoi qëndrimin, ku në mënyrë krejt të paligjshme i komunikoi personit që e kishte hetuar përreth dy vjet si dëshmitar, se ishte i pandehur. Në këto kushte, çdo qytetar i thjeshtë mund ta analizojë vetë situatën. Jemi praktikisht përpara dy përfundimeve logjike që shkojnë në dëm të akuzës: Duke analizuar faktet që thamë më lart, i bie që prokuroria ose ka çuar në gjykatë një çështje të pahetuar plotësisht ose zgjatja e afatit kohor nuk ka pasur si qëllim përfundimin e hetimit të pretenduar prej saj. Nëse do të marrim të mirëqenë alternativën e parë, i bie që marrja si “i pandehur” i zotit Basha të jetë bërë jo për shkak të provave të siguruara nga hetimi. Nëse konsiderojmë alternativën e dytë, i bie që zgjatja e afatit nuk synonte hetimin, por shtyrjen pambarim e çështjes për t’u përdorur si armë politike nga opozita në zgjedhjet e ardhme. Duket qartë që prokuroria nuk ka si qëllim drejtësinë dhe të vërtetën mbi objektin e hetimit, por instrumentalizimin politik të tij. Shumë normalisht ajo mund ta kishte çuar në gjykatë çështjen me dy zyrtarët e tjerë të marrë që në fillim si të pandehur, mirëpo nuk e ka bërë një gjë të tillë, duke zbuluar kështu publikisht edhe qëllimin e vërtetë të hetimit dhe penalizmit. Pas kësaj, është qartësisht e kuptueshme se qëllimi i vërtetë i çështjes nuk është abuzimi apo shkelja e ligjit, por “koka” e Lulzim Bashës. Si përfundim, ministri Basha dhe të hetuarit e tjerë për rrugën Durrës-Kukës kanë qenë që në fillim përballë akuzave me prapavijë të pastër e të qartë politike. Në këtë situatë, të akuzuarve nuk u ngelet gjë tjetër vetëm të përgjigjen me të njëjtën monedhë. Bërja publike e lidhjeve dhe interesave politike në prapavijat e kësaj çështjeje është pa dyshim një reagim tejet i justifikuar, por ndoshta pak i vonuar i Bashës, qeverisë dhe mazhorancës. Duket se këtu mbaron çdo iluzion i reflektuar nga lidershipi i mazhorancës për një prokurori të ndryshuar, reformuar dhe veçanërisht të pavarur. Në këto kushte, mazhoranca duhet të përdorë çdo mjet politik e juridik në dispozicion për të mbrojtur veten nga prokuroria politike, ndërkohë që duhet të ketë kurajën të pranojë dështimin e deritanishëm të përpjekjeve të saj për të reformuar dhe sidomos pavarësuar drejtësinë, në mënyrë të veçantë prokurorinë. Ndërkohë që juridikisht ajo duhet të bëjë të gjitha përpjekjet për ta zbardhur në gjykatë çështjen “Basha” përpara zgjedhjeve të ardhshme, gjë që do t’i digjte në dorë planet prokurori-opozitë për ta përdorur politikisht, mediatikisht dhe elektoralisht zgjatjen e të hetimit dhe gjykimit të saj.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›