E Shtunë, 31 Tetor 2026

U konfiskohet prona kush perfiton ne menyre abuzive

Të gjithë atyre që pas verifikimeve të Komisionit Qeveritar të Tokës, rezultojnë se kanë përfituar truall bujqësor nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve dhe jashtë procedurave ligjore, u konfiskohet toka.
Po ashtu sipas ndryshimeve në ligj, ata që kanë zaptuar deri në 10% më tepër truall nga ç’u është ndarë nga shteti pas shpërbërjes së ndërrmarjeve bujqësore, duhet ta paguajnë me cmimin e tregut, në të kundërt edhe në këtë rast toka konfiskohet.

“Përpara marrjes së vendimit për pavlefshmëri të pjesshme, sipërfaqja shtesë, por jo më shumë se 105 % e sipërfaqes që i takon subjektit, i ofrohet këtij subjekti përkundrejt pagesës e cila llogaritet sipas hartës së vlerës së tokës të AKKP-së, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Për vendimet për pavlefshmëri të pjesshme, e cila vjen si shkak si mosrespektimit të normës për frymë të fshatit dhe toka bujqësore nuk është në emër të mbajtësit të parë të titullit të pronësisë mbi tokën bujqësore lëshuar në kundërshtim me ligjin, pra, ai nuk e posedon më tokën si rezultat i një transaksioni ose shpronësimi me interes publik, lind detyrimi që për sipërfaqen përkatëse të tokës së shitur të kryhet pagesa e kësaj toke”-tha deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj.

Specialistët shprehen se tokat e sekuestruara do t’i kalojnë  fondit fizik për kompensimin e pronarëve. Po ashtu shtyhet deri më 31 dhjetor 2012, zbatimi i ligjit për verifikimin e titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, pasi ka ende shumë banorë që e kanë në përdorim, por nuk kanë kryer procedurat për të marrë tapinë.

Komisionet vendore të verifikimit të titujve të pronësisë janë shqyrtuar mbi 1500 tituj pronësie dhe është konstatuar pavlefshmëria ligjore për 40% të tyre.

Elona Gjylmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›