E Shtunë, 31 Tetor 2026

U përplas gjatë shërbimit, ndërron jetë polici rrugor



DURRES/ OERD ULQINI

Pas 4 ditësh në agoni, punonjësi i policisë së Durrës, Kastriot Aliaj ndërroi jetë në spitalin ushtarak. Plagët e marra nga përplasja e një makine, ndërsa ai po kryente shërbimin buzë autostradës Tiranë-Durrës, i sollën vdekjen. Ndonëse kolegët e tij u solidarizuan duke dhënë gjak në ndihmë të 50-vjeçarit, babai i tre fëmijëve nuk mundi të jetojë. Policia e Durrësit njoftoi dje se një prej efektivëve të saj, mbylli sytë rreth orës 04:00 të mëngjesit të djeshëm. Aliaj kishte dalë për shërbimin e zakonshëm, bashkë me kolegun e tij, pasditen e 11 shkurtit. Ndërsa kontrollonte dokumentet e një makine, në afërsi të fshatit Koxhas, një fuoristradë që drejtohej nga një 36-vjeçar në gjendje të dehur, e përplasi fuqishëm. Që nga ai moment, punonjësi i policisë rrugore, ra në gjendje kome dhe me gjithë transportimin e shpejtë për në spital, nuk e kapërceu rrezikun për jetën. Policia arrestoi për këtë ngjarje drejtuesin e mjetit, Afrim Byberi, i cili rezultoi se në momentet që i jepte makinës ishte i pirë. Thirrjes se Aliaj ka nevojë për gjak iu përgjigjën një numër i madh kolegësh të tij të komisariatit të Durrësit, por dëmtimet e marra nga përplasja nuk e kanë shpëtuar nga vdekja 50-vjeçarin. Kastriot Aliaj la pas bashkëshorten dhe tre djemtë, 20, 16 dhe 12 vjeç. Aliaj ishte angazhuar në radhët e policisë që prej vitit 1982, pranë repartit 303 në Spaç. Që nga viti 1996 ai kishte shërbyer pranë Komisariatit të Policisë në Durrës, ku ka kryer detyra të ndryshme si punonjës i Policisë së Rendit, Qarkullimit Rrugor e Policisë Kufitare. Prej 3 vitesh, Aliaj kryente detyrën si patrullë shërbimi trafiku, duke kontrolluar qarkullimin në pjesën e rrugës nacionale Tiranë-Durrës. Drejtoria e policisë së Durrësit njoftoi se, ceremonia mortore do të kryhet mesditën e sotme, në varrezat e reja të Durrësit. Më parë, nga ora 10:00-12:00, në Pallatin e Kulturës do të kryhen homazhe në nderim të tij nga familjarët, uniformat blu dhe mbarë komuniteti i Durrësit, të cilit polici i devotshëm i shërbeu me përkushtim deri në çastet e fundit. Policia e Shtetit ka marrë masat e nevojshme për një përcjellje sa më dinjitoze të punonjësit të saj, të rënë në detyrë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›