E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasjet e gjakmarrja, i dërguari i OKB në Shkodër



TIRANE - Philip Alston, i dërguari i posaçëm i OKB në Shqipëri mësohet se gjatë dy ditëve të para të kësaj jave ka kryer një sërë takimesh në institucionet e ndryshme të shtetit shqiptar, ku ka kërkuar informacione për 30 pyetjet që ai ka sjellë në Shqipëri. Mes institucioneve që ai ka vizituar ditën e djeshme mësohet se është edhe Avokati i Popullit, në të cilin Alston ka marrë përgjigje për disa nga pyetjet e tij. Po kështu mësohet se Alston ka kryer një vizitë në Shkodër ku ka marrë informacione të ndryshme mbi temën e gjakmarrjes, fenomen ky i theksuar së tepërmi në këtë prefekturë. Misioni i Alston ka nisur në vendin tonë në fillim të kësaj jave dhe do të vazhdojë deri të martën e javës së ardhshme, kohë, gjatë se cilës ai do të mbledhë informacione për të gjitha vrasjet jashtëgjyqësore që kanë ndodhur në vendin tonë 5 vitet e fundit. Pyetësori i Alston nis me statistikat e përgjithshme të krimit të vrasjeve në Shqipëri gjatë 5 viteve të fundit. Blloku i dytë i pyetjeve të të dërguarit të posaçëm të OKB-së ka të bëjë me fenomenin e gjakmarrjes, ku kërkohet informacion i imtësishëm që ka të bëjë me numrin e të vrarëve, rrethanat e vrasjeve, familjet e prekura nga ky fenomen, autorët e krimit, masat e marra ndaj tyre, mbrojtja e viktimave të këtij fenomeni të shëmtuar, si dhe çfarë politikash, institucionesh, procedurash ose planesh, ka ngritur Qeveria për të trajtuar vrasjet e gjakmarrjes. Ndërkohë gjatë ditës së sotme pritet që Alston të vazhdojë plotësimin e përgjigjeve për pyetjet rreth krimit të organizuar. Ndërsa në ditët në vazhdim pritet që i dërguari i Ban Ki Moon në Shqipëri të informohet rreth dhunës kundër grave, duke përfshirë vrasjet e dhunës në familje, vrasjet e nderit dhe vrasjet në lidhje me trafikun e qenieve njerëzore; vdekjet në paraburgim ose burgje; vrasjet nga policia ose forcat e tjera të sigurisë; hetimet; korrupsioni dhe mbrojtja e dëshmitarëve. Për të gjitha këto pika, që në total përbëjnë 30 pyetje të përgjithshme dhe tre specifike për dosjet e bujshme: “Remzi Hoxha”, “Kosta Trebicka” dhe “Gërdeci”, Alston veç informacionit qeveritar mbledh edhe informacione dhe dokumente të tjera nga Organizata Joqeveritare dhe institucione të tjera që funksionojnë në vend. Në përfundim të misionit të tij në Shqipëri Alston pritet të përpilojë një raport. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›