E Shtunë, 31 Tetor 2026

U plagos në Gërdec, harrohet nga shteti

Punonjësi i policisë që mbeti i plagosur kur po ofronte ndihmën e aparë për banorët e zonës së Gërdecit, harrohet nga shteti.

Trazhgim Sokolaj

Dritan Memoçi, efektiv i rajonit të policisë së Vorës, rrezikon të humbasë këmbën si pasojë e dëmtimeve që ka marrë, e megjithatë shteti e ka lënë në mëshirë të fatit. Ai është duke marrë mjekime në Spitalin Ushtarak me shpenzimet e tij ndërsa askush nuk është kujdesur për mjekimin e tij jashtë vendit apo për dhënien e dëmshpërblimit që i takon sipas ligjit dhe vendimeve të Këshillit të Ministrave. Punonjësi i policisë që rrezikoi jetën e tij duke shpëtuar atë të mbi 200 personave të cilët i evakuuoi nga zona e rrezikut, ka marrë përgjigje nga mjekët shqiptarë të cilët i kanë pohuar se është i nevojshëm mjekimi jashtë vendit për dëmtimet që ai ka pësuar. Pak ditë pas tragjedisë së Gërdecit, ku efektivi i policisë së Vorës mbeti i plagosur, ai është dërguar për kurim në një spital në Selanik të Greqisë, por atje nuk i është dhënë mjekimi i nevojshëm. Si pasojë, punonjësi i policisë Dritan Memoçi është rikthyer në Shqipëri. Sipas mjekëve këmba i është infektuar dhe rrezikon ta humbasë atë, nëse nuk mjekohet në klinika të specializuara jashtë vendit.
Ndihma
I ndodhur në këtë situatë, efektivi i policisë së Vorës i është drejtuar për ndihmë Avokatit të Popullit. Ky institucion pasi ka shqyrtuar rastin e efektivit të policisë i është drejtuar drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe ministrit të Brendshëm duke kërkuar zbatimin e ligjit. "Ai na shkruan se është efektiv i rajonit të policisë Vorë, komisariati i policisë nr. 6, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, me detyrë specialist i policisë së rendit. Në datën 15 mars 2008, kur ndodhi ngjarja e Gërdecit në Tiranë, ai meqenëse mbulonte këtë zonë ka shkuar në drejtim të vendit të ngjarjes. Gjatë rrugës, në afërsi të vendit të ngjarjes, në momentin që ishte duke i dhënë ndihmë të plagosurve nga shpërthimi në fabrikën e çmontimit të municioneve, është plagosur edhe vetë nga shpërthimi i dytë. Nga kjo plagosje atij i janë thyer dy këmbët dhe ka pësuar djegie në pjesën e pasme të trupit", thanë burimet nga Avokati i Popullit. Sipas tyre, polici është dërguar nga autoritetet shtetërore shqiptare në Spitalin e Selanikut në Greqi. Ai pretendon se në spitalin grek nuk ka marrë mjekimin e plotë e të duhur dhe si pasojë, për shkak të infeksionit, gjendja e tij shëndetësore është rënduar duke rrezikuar të humbasë njërën këmbë.
Mjekimi
"Për këto arsye ai është rikthyer në Shqipëri me shpenzimet e veta dhe aktualisht ndodhet në spitalin turk, pranë Spitalit Ushtarak në Tiranë. Sipas tij, mjekët e këtij spitali i kanë thënë se megjithëse kanë bërë maksimumin e mundshëm, ai nuk mund të riaftësohet në spitalet që shërbejnë në Shqipëri dhe se duhet të shkojë në ndonjë spital të specializuar jashtë vendit", thanë burimet. Sipas tyre, megjithëse nga eprorët e tij janë bërë përpjekje për të bërë të mundur dërgimin e policit jashtë vendit, deri tani këto përpjekje nuk janë konkretizuar. Nisur nga ky rast, Avokati i Popullit bazuar në Kushtetutën e Shqipërisë ka kërkuar nga Ministria e Brendshme dhe ajo e Shëndetësisë dërgimin e policit të plagosur për mjekim dhe rehabilitim jashtë Shqipërisë. Punonjësi i policisë së Vorës Dritan Memoçi ka kërkuar dëmshpërblim sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 552, datë 27 nëntor 1999 "Për trajtimin ekonomik e financiar të familjeve të punonjësve të policisë të vrarë apo të plagosur për shkak të detyrës". Dritan Memoçi gjithashtu edhe në bazë të vendimit të qeverisë të miratuar për ngjarjen e Gërdecit, ku caktohet dhënia e dëmshpërblimit për të dëmtuarit nga kjo ngjarje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›