E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohen 27 predha në Metalurgjik

ELBASAN - Gjenden 27 predha luftarake në territorin e ish-Metalurgjikut në Elbasan.

Ka qenë një telefonatë e arritur në sallën operative të policisë së Elbasanit mëngjesin e djeshëm ajo që ka lajmëruar për praninë e një sasie municionesh luftarake në ambientet e ish-Kombinatit. Menjëherë në vendngjarje është dërguar një grup hetimor, i cili ka konstatuar se në afërsi të stacionit të pompave ndodheshin disa predha të paplasura. Mbas këqyrjes së kujdesshme të vendit prej grupit hetimor janë gjetur plot 27 predha luftarake të kalibrave të ndryshëm. Mësohet se në ndihmë të uniformave blu kanë ardhur dhe specialistë të antieksplozivit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Por rrezikshmëria që paraqesin predhat ka bërë që të pritej ardhja e specialistëve të Ministrisë së Mbrojtjes për të bërë çaktivizimin e municioneve luftarake të gjetura. Kanë qenë këta ta fundit, të cilët kanë bërë më pas grumbullimin e predhave luftarake. Burimet policore hodhën poshtë mundësitë për një lidhje mes predhave dhe punës për shkrirjen e skrapit në territorin e ish-metalurgjikut nga firma turke "Kurum". Sipas tyre, predhat kanë qenë municione të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore.                  a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›