E Shtunë, 31 Tetor 2026

U promovua libri “Shqipja standarde në parametrat psikolinguistike”

Libri “Shqipja standarde në parametrat psikolinguistike” i autorit Rrahman Paçarizi, paraqet studimin e parë të karakterit psikolinguistik në fushën e standardizimit të shqipes.

Në promovimin e librit që u mbajt të enjten në Prishtinë, profesor Bardh Rugova, i cili foli rreth veprës së autorit, tha se ky libër është një vepër pionire në fushën e psikolinguistikës në kuadër të gjuhësisë shqiptare, vepër e parë që e rreh problemin në mënyrë empirike.

Sipas Rugovës, psikolinguistika ose psikologjia e gjuhës, është degë e studimit të faktorëve psikologjik dhe neurobiologjikë, nëpërmjet të të cililave njeriu arrin ta nxë, ta përdorojë dhe ta kuptojë gjuhën.

“Ai e shtron problemin në dy rrafshe themelore: Një, në atë të prodhimit gjuhësor, duke kundruar procesin e përgjedhjes leksikore, të prodhimit të pjesorës dhe të paskajorës dhe të disa foljeve të çrregullta ndër folësit e shqipës në Kosovë, si dhe rrafshi tjetër, të nxënit e gjuhës standarde, duke trajtuar faktorët që ndikojnë mbi të nxënit e gjuhës standarde, ndikimin e rrethiy për mësimin e standardit dhe domenet e përdorimit të standardit”, tha ai.

Recensenti i librit, profesor Shkumbin Munishi, duke folur për librin, tha se në dekadën e fundit është intensifikuar debati për gjuhën standarde shqipe dhe normën e saj në rrethanat e sotme.

“Janë shprehur shumë pikëpamje për dhe kundër shqipes standarde dhe janë dhënë mendime, shpeshherë politike, e shumë rrallë argumentime shkencore, lidhur me të. Ka pasur të tillë që kanë kërkuar ndryshimin e saj kthimin në përdorim të dy variantëve letrare toskërishtes dhe gegërishtës, të tjerë që kanë kërkuar që ajo të mos preket fare dhe pak autorë që kësaj çështjeje i janë qasur nga aspekti krejtësisht shkencor dhe pa emocione politike e kulturore”, vlerësoi Munishi.

Autori i librit, Rrahman Paçarizi falënderoi të gjithë ata që kontribuan në realizmin e botimit të librit, veçanërisht studentët të cilët, sipas tij kanë dhënë një kontribut të veçantë.

“Ky libër është punim i doktoraturës gjatë viteve të fundit që kemi punuar. Unë nuk do të flas për librin, për librin folën ata që duhet të flasin dhe thanë atë që duhet thënë, në fakt është një përpjekje, nuk është rezultat final, është përpjekje për të bërë diçka që unë e shoh si të tillë”, tha studiuesi Paçarizi.

Sipas studiuesve, një pjesë e madhe e studimeve për shqipen standarde janë induktive, së këndejmi, të patestueshme. Studimi i autorit Paçarizi “Shqipja standarde në parametrat psikolinguistike”, është mëtanë vijës së “demarkacionit”, është studim i mbështetur në deduksion, një përpjekje e shkëlqyeshme shkencore, me parametra të testueshëm. /kp/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›