E Shtunë, 31 Tetor 2026

U qëllua me kallashnikov, humbet jetën

BERAT- Një 33 vjeçar nga qyteti i Beratit u qëllua me armë zjarri gjatë mesnatës të së mërkurës, ndërkohë që humbi jetën në spital disa orë më pas. Ngjarja e rëndë që i mori jetën 33 vjeçarit, Klodian Lumani, ndodhi pranë një qendre interneti rreth mesnatës së djeshme.

Ai u transportua drejt spitalit rajonal në këtë qytet, ku dhe humbi jetën disa orë më pas. Burime pranë Repartit të Kirurgjisë bëjnë me dije se rreth orës 01:30 mbërriti i plagosur në gjendje të rëndë për jetën. Mjekët konstatuan se ai ishte qëlluar disa herë në kokë dhe në trup me armë zjarri.

Dy plagë të rënda shkaktuara në kokë dhe disa të tjera në trup nga një distancë e afërt mësohet se i kanw marrë jetën të rritur. Trupi i pajetë u dërgua më pas në morgun e spitalit ku dhe u kryhen hetimet e rastit.

Policia ka shoqëruar dhjetë persona, të cilët janë duke u marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen. Pranë qendrës së internetit ku ndodhi dhe krimi ekspertët e policisë mësohet se siguruan disa gëzhoja arme automatike të llojit kallashnikov, të cilat ishin shkrepur ndaj 33 vjeçarit. Ky i fundit mësohet se ndodhej pranë qendrës së internetit në momentin që është qëlluar me armë zjarri. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes qendra e internetit ishte mbyllur disa minuta më parë dhe i riu ndodhej pranë saj në kohën që është qëlluar nga persona ende të paidentifikuar.

Ekspertët e policisë mësohet se i kanë shtrirë hetimet në dy pista për zbardhjen e plotë të ngjarjen. Krimi dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një konflikti të hershëm që 33 vjeçari ka pasur që prej vitit 1997. Gjatë trazirave të 1997 ai është dyshuar se ka kryer një plagosje, ngjarje e cila nuk u zbardh asnjë herë nga ana e policisë për mungesë të provave. Por, një tjetër pistë e policisë dyshohet se është dhe ajo e një grindje të ndodhur ditët e fundit mes tij dhe disa të rinjve të tjerë, me të cilët viktima dyshohet se ka pasur njohje. Disa ditë më parë ai mësohet se ishte zënë ne pije e sipër me disa bashkëmoshatarë të tij në lagjen ” Kushtrim”, ngjarje nga e cila ngeli i plagosur lehtë me armë të ftohtë.

Erjola Azizolli

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›