Sulmi në Komisariat, si u kërcënua shefi i Krimeve

Komisariati i Policisë Nr. 5 në Kamzë
Ngjarja në Kamzë, Gjykata zbardh vendimin e dënimit për shtatë persona.
Gjykata: E rrahën, i thanë të marrim peng fëmijët
Zbardhet sulmi i dhunshëm ndaj Komisariatit të Policisë Kamzë më 21 korrik 2011, ku u lënduan 4 punonjës policie dhe iu shkaktuan dëme materiale godinës së Komisariatit.
Arsyetimi i plotë i vendimit që i shpalli fajtor më 17 maj 2012 të shtatë të akuzuarit, zbardh detaje nga kërcënimet drejt policëve, deri te dhunimi fizik i tyre. Sipas vendimit, shkak i sulmit është bërë shoqërimi i një të mituri dhe pakënaqësia e krijuar te të afërmit e tij për këtë veprim të policisë. Duke u prezantuar në telefon si drejtues i SHKB-së, një prej të afërmve të tij ka kërcënuar punonjësit e Policisë me shkarkim nga puna nëse nuk e lironin të miturin. Më pas radhën e kanë pasur sharjet e ofendimet, dhe në përfundim situata ka precipituar në dhunë fizike. Në vijim paraqitet ngjarja referuar vendimit të Gjykatës.
MASHTRIMI
Sipas dëshmisë së shtetasit Përparim M. rezulton se në Komisariat, shtetasi J. M. është pritur nga ky punonjës. Për shkak se J. M. ishte i mitur, shefi i Krimeve, dëshmitari Artur H., urdhëroi që pyetja e J. M. të bëhej në prani të një avokati dhe një psikologu. Gjatë kësaj kohe, nga telefoni i shtetasit J. M. dëshmitari Përparim është telefonuar nga një person, i cili është prezantuar me emrin Shkëlqim Halili, shef i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Policisë së Shtetit. Ky shtetas i ka thënë dëshmitarit Përparim Mata se do ta largonte nga puna nëse nuk lironte menjëherë J. M., i cili ishte nipi i tij.
KËRCËNIMET
Përmbajtjen e kësaj telefonate, dëshmitari Përparim M. ia ka treguar shefit të tij, dëshmitarit Artur H. Sipas dëshmisë së këtij të fundit rezulton se Arturi ka verifikuar numrin e telefonit, nga ka rezultuar se telefonuesi gënjente, pasi nuk ishte ai që pretendonte, shef i SHKB-së. Pas këtij verifikimi, dëshmitari Artur H. ka telefonuar shtetasin në fjalë, i cili rezulton të jetë i pandehuri Shkëlqim Halili dhe i ka kërkuar të mos i kërcënojë më punonjësit e Policisë. Por, i pandehuri Shkëlqim Halili e ka sharë dhe fyer në telefon dëshmitarin Artur H. Ndërkohë që, në pritje të psikologut, dëshmitarët Artur H., Përparim M. e Emri D. kanë menduar të dalin nga Komisariati. Sapo kanë qenë duke kaluar portën e Komisariatit, një person i veshur me të bardha i është drejtuar Artur H. duke i thënë: Ti je shefi i Krimeve?. Më pas ka filluar ta shajë e ofendojë rëndë nga njerëzit e shtëpisë dëshmitarin Artur H., duke i thënë se do të q robt, do të marrim peng malok… etj.
DHUNA
Sipas dëshmitarëve Përparim M., Emri D. e Artur H., personi që ka sharë e goditur i pari ka qenë i pandehuri Liri Halili. Më pas kanë goditur edhe të pandehurit Astrit Halili e Klevis Halili. I pandehuri Bashkim Mullahi vetëm sa e ka sharë shefin e Komisariatit dhe punonjësit e tjerë të Policisë, duke bërtitur me zë të lartë e duke shkaktuar zhurmë të madhe në rrugë. Ndërsa, e pandehura Valbona Mullahi e ka sharë, fyer e goditur dëshmitarin Artur H. për shkak të detyrës, në brendësi të Komisariatit. Sipas Artur H., e pandehura e ka goditur me shapkë dhe/ose shpullë pas koke. Gjithashtu, dëshmitari dëshmoi se është goditur edhe nga shtetasi J. M. Pasi kanë hyrë brenda, personat e ndodhur jashtë Komisariatit kanë filluar të gjuajnë me gurë në drejtim të godinës së Komisariatit, duke thyer xhamat e fasadës së saj, kanë thyer e dëmtuar dyert, kanë dëmtuar muret etj.
Dënimet
Liri Halili
1 vit e 6 muaj burgAstrit Halili
1 vit e 3 muaj burgKlevis Halili
1 vit burgArmando Jaupi
6 muaj burgShkëlqim Halili
3 muaj burgValbona Mullahi
300 mijë lekë gjobëBashkim Mullahi
300 mijë lekë gjobë
ARMAND BAJRAMI