E Shtunë, 31 Tetor 2026

“U votua një ligj historik për Shqipërinë dhe shqiptarët”

24/12/2008  Kryeministri Berisha dhe kryeparlamentarja Topalli

Kryeministri Sali Berisha dhe Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, përkatësisht kreu dhe nënkryetarja e Partisë Demokartike, kanë vlerësuar maksimalisht votimin e ligjit për hapjen e dosjeve. Ata janë treguar tepër të entuziazmuar për votimin e ligjit. Kryeministri Berisha, duke folur nga Kalimashi mbi votimin e ligjit, ka thënë se vota në Parlament ishte një fitore historike e shqiptarëve mbi krimin politik. “Vota në Parlament është një fitore historike e shqiptarëve mbi krimin politik. Ajo është një fitore historike dhe shqiptarët do të mund të shohin tani drejt korridorit të tyre, drejt vlerave të demokracisë, do të mund të shohin drejt integrimit. Unë mendoj se Parlamenti shqiptar dje ka bërë histori”, - ka deklaruar Kryeministri Berisha. Ndërsa kryeparlamentarja Topalli ka thënë se votimi ishte një arritje dhe një borxh, ndonëse pak i vonuar, ndaj vuajtjeve dhe kalvarit çnjerëzor që populli shqiptar kaloi për gjysmë shekulli. Sipas saj, Parlamenti votoi një ligj të standardeve, model i ligjit çek, i cili është shqyrtuar dhe miratuar dy herë nga Gjykata Kushtetuese e atij vendi dhe nuk është vënë kurrë në dyshim nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. “Çka është kushtetuese për Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe për Çekinë, vend anëtar i BE-së, nuk mund të jetë jokushtetuese për Shqipërinë, që ka kaluar kalvarin më të egër diktatorial. Nuk ka kushtetutë në vende të lira që mandatet t’i mbajë mbi krimin apo të veshë krimet me imunitet”, - tha ajo.

Ndërkombëtarët

Faktori ndërkombëtare ka shigjetuar ligjin e miratuar në seancën e fundit parlamentare për hapjen e dosjeve. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Evropian Terri Devis janë shprehur tepër kritik ndaj votimit në Parlament vetëm me votat e mazhorancës të ligjit. Me një qëndrim kritik ndaj ligjit është pozicionuar edhe Sekretari i Përgjithshëm i KE-së Terri Devis, i cili mendon se ligji për hapjen e dosjeve duket se i është imponuar Parlamentit. “Ligji për lustracionin duket se i është imponuar Parlamentit shqiptar me nxitim. Kjo nuk u ka lënë kohë të mjaftueshme mbështetësve të ligjit të shpjegojnë se pse një ligj i tillë është i nevojshëm pothuajse dy dekada pas rrëzimit të regjimit komunist. Vetëm faktori ‘kohë’ krijon arsye për shqetësimin se ligji do të sjellë më shumë padrejtësi sesa do të korrigjojë”, - ka deklaruar Devis ditën e djeshme. Megjithatë, ai thekson se në lidhje me përmbajtjen e ligjit do të bëjë të qartë pozicionin e tij në momentin, kur ekspertët e Këshillit të Evropës do të kenë analizuar të gjithë ligjin. Nga ana e saj, përfaqësia diplomatike e SHBA-ve nënvizon se ka ndjekur nga afër votimin e mbrëmshëm në Parlamentin shqiptar, që miratoi ligjin “Për pastërtinë e figurës...” me shumicë të thjeshtë. “Ne jemi thellësisht të shqetësuar. Ky ligj ngre pikëpyetje serioze ligjore, qeverisëse dhe kushtetuese te partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara. I bëjmë thirrje qeverisë së Shqipërisë të marrë hapa të menjëhershme në konsultim me ekspertët kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të siguruar që ky ligj do të përmbushë standardet ndërkombëtare”, - thuhet në deklaratën e bërë publike ditën e djeshme nga zyra e zëdhënësit të ambasadës amerikane. Reagimi i tyre ka ardhur menjëherë pasi deputetët e mazhorancës kanë votuar ligjin për hapjen e dosjeve. Të njëjtin qëndrim kritik e kanë mbajtur edhe përfaqësues të organizatave dhe përfaqësive të tjera diplomatike të atashuara në vendin tonë. Dy ditë më parë, para se ligji të votohej në seancë plenare, OSBE-ODHIR-i kërkuan që Parlamenti shqiptar të marrë parasysh shtyrjen e votimit të planifikuar të projektligjit mbi hapjen e dosjeve, në mënyrë që të lihet kohë e mjaftueshme për konsultime më të gjera.

SHBA

“Ambasada ndoqi nga afër votimin e mbrëmshëm në Parlamentin shqiptar, që miratoi ligjin për pastërtinë e figurës me shumicë të thjeshtë. Ne jemi thellësisht të shqetësuar. Ky ligj ngre pikëpyetje serioze ligjore, qeverisëse dhe kushtetuese te partnerët ndërkombëtarë përfshirë SHBA. I bëjmë thirrje Qeverisë së Shqipërisë të marrë hapa të menjëhershme në konsultim me ekspertët kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të siguruar që ky ligj do të përmbushë standardet ndërkombëtare.”

OSBE

“Ligji i miratuar duhet të përmbushë kërkesat e një vendi që bazohet mbi shtetin ligjor. Në veçanti duhen respektuar plotësisht dispozitat e Kushtetutës dhe standardet e pranuara ndërkombëtare. Për këtë qëllim nga qeveria shqiptare pritet që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm në konsultim me ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të garantuar që ky ligj përmbush standardet ndërkombëtare dhe në këtë mënyrë do të sigurojë partnerët ndërkombëtarë për angazhimin e saj ndaj këtyre standardeve.”

Berisha

“Vota në Parlament është një fitore historike e shqiptarëve mbi krimin politik. Ajo është një fitore historike dhe shqiptarët do të mund të shohin tani drejt korridorit të tyre, drejt vlerave të demokracisë, do të mund të shohin drejt integrimit. Unë mendoj se Parlamenti shqiptar dje ka bërë histori.”

Dade

“Ligji ngre pikëpyetje qeverisëse, ligjore dhe kushtetuese. Sali Berisha vazhdon të thellohet në abuzivizmin me pushtetin. Ky ligj nuk ka sesi e shpëton atë dhe maxhorancën nga hetimet për krimin shtetëror të Gërdecit, për krimin e grabitjes së fondeve shtetërore të ndërtimit të rrugës së kombit, nga hetimi për aferat korruptive shumëmilionëshe të sekserit serb, që ka kapur shtetin me gjithë kryeministër.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›