E Diel, 1 Nëntor 2026

U vra babai dhe plagos djali, digjet shtëpia e familjes Marku në Theth

Tragjedia në familjen Marku në Shkodër nuk është mjaftuar me ekzekutimin e kryefamiljarit Frederik Marku dy ditë më parë dhe plagosjen e të birit, pasi mëngjesin e ditës së sotme i është djegur edhe banesa në fshatin Theth. Burime nga policia bëjnë të ditur se banesa në fshatin Theth në pronësi të viktimës Marku është djegur së bashku me makinën që ndodhej në oborr, ndërsa fatmirësiht vec dëmeve materiale nuk ka pasur të lënduar në njerëz.

Duke qenë një zonë shumë e thellë nuk është bërë dot ndërhyrja e zjarrëfikësve dhe në këtë mënyrë nuk është bërë dot e mundur shpëtimi i banesës, dhe pse roja ka bërë lajmërimin menjëherë sapo ka identifikuar flakët. Policia ka nisur hetimet, ndërsa mendohet që zjarri të ketë qenë i qëllimshëm.

Ndërkaq të premten u bë e mundur edhe arrestimi njërit prej autorëve që ekzekutuan Frederik Markun dhe plagosën të birin, konkretisht 25 vjeçarin Leonard Nika i dyshuar si njëri nga autorët e ngjarjes së rëndë. Si autorë të dyshuar të ngjarjes janë identifikuar dhe vënë në kërkim 5 persona, respektivisht Lin Martini, Enkel Boka, Leonard Nika, Alfred Prebibaj dhe Artan Doçaj, të gjithë banues në Shkodër.

Dy ditë më parë autorët e krimit u kanë zënë pritë viktimës dhe djalit të tij, të cilët udhëtonin në një fuoristradë me targa të Tiranës. Ata kanë qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të dy viktimave, ndërsa policia sqaron se trupat e tyre janë gjetur tek dera e Maternitetit, vendi ku edhe u kanë zënë pritë. Fillimisht u dyshua se babë e bir kishin vdekur në atentat, por 22-vjeçari kishte dhënë shenja jete në reanimacion dhe tani vijon të mbetet në gjendje kritike për jetën.

Burime nga policia bëjnë të ditur se paraditen e së enjtes viktima kishte denoncuar në polici rreth një konflikti të tyre me disa persona në zonën e Thethit, ku po pushonin të dyja palët.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›