“Eklipsi” sekuestron 150 kg marihuanë Lazarati, dy në pranga
Gjirokastër- Ka arritur në rreth 230 kilogramë sasia e lëndës narkotike e sekuestruar nga efektivat e Policisë së Shtetit, në Qarkun e Gjirokastrës gjatë tri operacioneve antidrogë, të zhvilluara ditët e fundit. Mbrëmjen e së mërkurës, efektivat e antidrogës në Gjirokastër kanë sekuestruar sërish 150 kilogramë marihuana, duke ndaluar dy persona të dyshuar si transportues të saj, si dhe kanë shpallur në kërkim edhe dy të tjerë. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, operacioni antidrogë i koduar “Eklipsi” është zhvilluar në zonën e Muzinës, Sarandë. Gjatë veprimeve të tyre, efektivat e antidrogës në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, kanë tentuar të bllokojnë një ngarkesë me lëndë narkotike, në tentativë për t’u transportuar nga fshati Lazarat në drejtim të zonës së Sarandës me destinacion përfundimtar Greqinë.
Hetimi
“Pas një hetimi një mujor, ndaj një grupi të mirorganizuar me veprimtari kriminale në fushën e trafikut të lëndëve narkotike, orët e vona të ditës së mërkurë, në rrugën operative ne morëm informacion se nga fshati Lazarat, 4 pjesëtarë të këtij grupi kriminal, me një automjet tip Fuoristradë, po transportonin një sasi të madhe lëndësh narkotike në drejtim të Sarandës, me destinacion përfundimtar Greqinë”, thonë specialistët e antidrogës në Gjirokastër. Në këtë situatë, ata kanë organizuar punën duke ngritur disa pika kontrolli në rrugën kombëtare Gjirokastër-Muzinë, me qëllim bllokimin e ngarkesës me drogë dhe vendosjen përpara ligjit të transportuesve të saj. Por personat që po transportonin lëndën narkotike, për t’iu shmangur pikave të kontrollit të policisë, në afërsi të fshatit Grapsh, Gjirokastër, kanë shkarkuar nga automjeti lëndën narkotike. “Ngarkesa e dyshuar si marihuanë është lënë në një përrua, ndërkohë që drejtuesi i automjetit, banor i fshatit Lazarat, së bashku me një bashkëfshatarin e tij, pjesëtarë të grupit, janë larguar në drejtim të Muzinës”, thonë burimet policore. Më pas dy personat e tjerë të grupit kanë filluar të transportonin me krahë, në drejtim të faqes së malit të Muzinës, çantat me lëndë narkotike. Sipas specialistëve të policisë, në krye të shpatit të Muzinës, në rrugën kombëtare, ata do ti priste sërish i njëjti automjet. Veprimet e grupit prej katër personash kanë qenë nën vrojtimin e vazhdueshëm të Policisë së Gjirokastrës. “Në momentin që dy transportuesit me çanta shpine ndodheshin në faqen e malit poshtë Qafës së Muzinës, mbi fshatin Grapsh, ne u vendosëm në ndjekje të tyre”, thonë specialistët antidrogë. Pasi janë afruar në një distancë të afërt, agjentët e policisë iu kanë bërë thirrje dy personave që të ndalonin. Si kundërpërgjigje, të dy transportuesit e çantave të shpinës kanë braktisur ato duke u larguar me vrap, për t’iu fshehur ndjekjes së policisë. “Megjithë terrenin e thyer dhe errësirën, pas disa metrash ndjekje, ne bëmë më mundur ndalimin e tyre”, thonë specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve, në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër. Të dy të ndaluarit janë identifikuar, Shkëlqim Besimaj 39 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i dënuar më parë me 1 vit burg për “trafik të lëndëve narkotike” dhe Dorjan Rrapi, 28 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë.
Bllokimi
Gjatë këqyrjes së vendngjarjes, policia konstatoi 4 çanta të mëdha shpine dhe një thes plastmasi të bardhë, ku brenda tyre kishte pako të mbështjella me letër natriban, të mbushura me lëndë narkotike të dyshuar si mariuanë. Gjatë veprimeve të para procedurale, grupi hetimor konstatoi se në secilën çantë kishte nga 35 pako, ndërsa në thesin plastmas kishte 10 pako, gjithsej 150 pako në formë katrore, të mbështjella me letër natriban transparent, me peshë një kilogramë secila. Në total, policia zbuloi rreth 150 kilogramë marihuanë. Mbështetur mbi provat e mbledhura, policia ka bërë arrestimin në flagrancë të Shkëlqim Besimajt dhe Dorjan Rrapit, për veprën penale “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Gjithashtu nga ana e policisë janë shpallur në kërkim edhe dy persona nga fshati Lazarat, të cilët kanë transportuar sasinë e lëndës narkotike me automjet deri pranë zonës së Muzinës dhe që mundën t’i shpëtojnë ndjekjes së policisë. Madje, sipas grupit hetimor, dy të kërkuarit janë edhe organizatorët e këtij grupi. Në fundjavë, policia sekuestroi në vijën e gjelbërt të kufirit me Greqinë, 70 kilogramë marihuanë dhe nisi ndjekjen penale për katër persona, ndërkohë që ditën e hënë tre të rinj u ndaluan në zonën e Ujit të Ftohtë, Tepelenë, ndërsa transportonin shtatë pako me lëndë narkotike në drejtim të Tiranës.