U zhduk për gjashtë muaj,rikthehet firma e unazës
KORÇE/ JORGJETA GJANÇI
Rikthehet pas 5 muajsh mungese pranë objektit që ka filluar të ndërtojë në Korçë firma “Denis 2005”. Për herë të parë drejtuesit e saj dhe një grup punëtorësh erdhën në fillim të muajit qershor, kur filluan punën për rikonstruksionin e unazës veriore të Korçës. Ata punuan vetëm 5–6 ditë dhe më pas u larguan duke lënë hapur punimet, edhe pse kishin dëmtuar në pesë vende tubacionet e ujërave të zeza, që kalojnë anash unazës ekzistuese. Këto probleme u shfaqën pas punimeve të kryera me ekskavatorë. Për gati pesë muaj pas këtyre punimeve nuk u pa asnjë mjet apo punëtor në këtë zonë. Për pasojë gjatë gjithë stinës së verës ujërat e zeza dolën në sipërfaqe, ndërsa firma që i dëmtoi ato nuk u kujtua të vinte dorë për të mos ndotur mjedisin e rrezikuar shëndetin e banorëve të lagjes 16. Ditët e fundit janë rishfaqur drejtuesit dhe punëtorët e kësaj firme, të cilët kanë filluar punë. Ritmet janë të shpejta dhe synimi sipas drejtuesit të firmës Hajredin Ukferaj, është që ky aks i unazës me gjatësi prej 1 kilometër të përfundojë në fund të muajit nëntor. Kujtojmë se në tabelën që është vënë në fillimin e aksit shkruhet se afati i ndërtimit të tij do të jetë 12 muaj. Banorët e kësaj lagjeje periferike shprehen me rezerva dhe mosbesim për realizimin e synimit të bërë publik nga drejtuesi i firmës “Ukferaj”, mbasi sipas tyre firma erdhi të kryejë investimin në një kohë të papërshtatshme. Shirat e vjeshtës janë pengesa aktuale për punimet e sapofilluara, ndërkohë që me ardhjen e nëntorit janë të mundshme ngricat e reshjet e dëborës. Megjithatë, firma po përpiqet të shfrytëzojë ditët me mot të mirë dhe të sfidojë dyshimet duke punuar me orar të zgjatur. Mësohet se Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme po punojnë për të shlyer pronarët e trojeve që nevojiten për zgjerimin e rrugës, ndërsa mjetet e rënda të firmës po avancojnë në zgjerimin e unazës. Njëherësh filloi puna edhe për ndërtimin e sistemit të ri të kanalizimeve të zeza e të bardha, edhe pse ato ekzistuese kishin vetëm katër vjet që ishin kryer. Ky aks i unazës së Korçës fillon nga kryqëzimi me rrugën që të çon në Kolonjë dhe përfundon tek varrezat publike.