E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali, sherri mes vëllezërve shkak i vrasjes së kunatës

 

“Ishte vullneti i Zotit”. Kështu e ka justifikuar tragjedinë e rëndë të dy ditëve më parë në Pavia të Italisë, 24-vjeçari nga Mirdita Alfred Mëlyshi, personi që ekzekutoi me thikë kunatën Rina Mëlyshi, 24 vjeç, së bashku me motrën Ornela Ndoja, 19 vjeç, si dhe vajzën vetëm 3 vjeç. Dje mediat italiane, duke iu referuar policisë dhe prokurorisë lokale nxorën se shkaku i krimit të rëndë, që tronditi opinionin italian dhe shqiptar, ishte grindja mes dy vëllezërve emigrantë Alfred dhe Anton Mëlyshi. Alfredi, 24-vjeçar njihej si njeri me precedentë dhe me probleme të shumta. Për shkak të grindjeve të shumta të tij, mbrëmjen e të premtes banesa ku jetonte me familjen e vëllait dhe motrën e kunatës, është qëlluar me breshëri plumbash nga disa shqiptarë të tjerë, me të cilët 24-vjeçari kishte grindje të vazhdueshme. Duke parë këtë gjendje, vëllai më i madh, Antoni, i ka kërkuar Alfredit që largohej nga shtëpia, pasi veç faktit që ishte shkaktar i problemeve në rrugë, kishte bërë që grindja të zhvendosej edhe në banesë duke përfshirë në rrezik edhe familjarët që fatmirësisht u kishin shpëtuar plumbave të bashkëatdhetarëve të tyre. Mediat italiane pohuan se rreth orës 21:30 të së premtes, dy persona të identifikuar si G.P. 26 vjeç, dhe A.G. 31 vjeç, shqiptarë me banim në Stradella, kanë qëlluar me katër plumba në dritaren dhe apartamentin e familjes Mëlyshi në rrugën “Buozzi”, në periferinë lindore të Stradellës. Sipas dëshmitarëve, tre vetë kishin qëndruar në makinë dhe 2 qëlluan kundrejt shtëpisë në katin e dytë. U zbulua se bëhej fjalë për një hakmarrje të vjetër mes dy familjeve shqiptare, një histori e rëndë që kishte shumë episode të dhunshme që rezultuan me arrestime për armëmbajtje, lëndime, dhunë etj. Mes episodeve më të rënda ishte një grindje e dhunshme 21 marsin e vitit të kaluar, kur Alfred Mëlyshi përfundoi në spital me lëndime për 15 ditë. Më pas, një sherr i dhunshëm në sheshin e stacionit më 12 maj dhe një konflikt në parkingun e rrugës 99 Ostaggi, më 14 korrik. Duke pasur parasysh gjithë këto precedentë të rrezikshëm të vëllait, Antoni 30-vjeçar i kishte kërkuar Alfredit që të largohej nga banesa e tij. Ndërsa Antoni ishte larguar nga shtëpia, Alfredi ishte grindur aty me kunatën dhe motrën e saj, duke i vrarë të dyja me thikë, dhe bashkë me to edhe mbesën 3 vjeçe. Më pas ka tentuar të vrasë veten, duke u qëlluar me thikë në mushkëri, por që e ka kaluar rrezikun për jetën pasi është dërguar në spital.             fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›