E Shtunë, 31 Tetor 2026

I heqin nga puna, s’u njihet vjetërsia

 

KUÇOVE - Ish 20-punëtorëve të ndërmarrjes së shpim-kërkimit të naftës u mohohet vjetërsia e punës. Ata thonë se i drejtohen gjykatës për të drejtat e tyre. Punëtorët shprehen për gazetën se u hoqën nga puna pas kalimit të ndërmarrjes nga varësia Servokomit në varësi të “Albpetrol”-it, nën pretekstin e ristrukturimit të ndërmarrjes. Sipas tyre, zëvendësimi erdhi jo për këtë lloj justifikimi, por për faktin se ata u zëvendësuan nga militantë partiakë. Madje, përveç heqjes nga puna, atyre u janë hequr disa të drejta që kishin, mes tyre dhe vjetërsia e punës, të cilën e përmban neni nr. 145 i Kodit të Punës. Këta ish-punonjës i janë drejtuar Gjykatës së Beratit, e cila u njohu të drejtën duke detyruar ndërmarrjen e shpim-kërkimit dhe “Alpetrol”-in që t’u kthejë shumën përkatëse sipas viteve të vjetërsisë të punës. Ndërmarrja nuk e ka marrë parasysh këtë vendim dhe menjëherë e ka dërguar në Gjykatën e Apelit, ku u janë mohuar ish-punëtorëve të drejtat e tyre të parashikuara me ligj. Punëtorët janë shprehur për gazetën se nuk e kuptojnë këtë veprim të ndërmarrjes dhe të Gjykatës së Apelit. “Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë, por vetëm gjakun dhe djersën tonë që kemi derdhur prej 30 vjetësh”, shprehen ata, duke kërkuar nga Qeveria që t’i ndihmojë. d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›