Tiranë, 3 denoncime për grabitje brenda një nate
TIRANE - Teksa banorët e kryeqytetit kishin mbushur rrugët dhe lokalet duke festuar Halloween-in, hajdutët kanë shfrytëzuar momentin më të mirë për të vjedhur. Vetëm gjatë natës së shtunës duke gdhirë dita e dielë, në policinë e Tiranës kanë mbërritur dhjetëra denoncime për vjedhje. Mes rasteve të vjedhjeve të portofolave apo celularëve, policia është përqendruar më së tepërmi tek zbulimi i tentativës për të grabitur një taksi në Paskuqan dhe vjedhjes me thyerje të dy banesave shumë pranë qendrës së kryeqytetit. Burime nga policia thanë se rreth orës 22:30 të së shtunës, taksisti 49-vjeçar Muhamet M., ka denoncuar dy persona, të cilët i kishte pikasur teksa tentonin t’i vidhnin mjetin e tij të punës. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë forcat e policisë, të cilët kanë mundur të arrestojnë në flagrancë 23-vjeçarin Bujar Marku, ndërsa bashkëpunëtori i tij ka mundur të largohet, duke u shpallur në kërkim. Sipas policisë, mësohet se dy të rinjtë në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar që të grabisnin makinën tip “Benz”, taksi me targë TR 432 D, në lagjen Paskuqan të Tiranës. Por ata nuk kanë mundur t’ia arrijnë qëllimit, pasi janë parë nga i zoti i makinës, i cili ishte ulur në një lokal përballë dhe ka lajmëruar menjëherë policinë. Vetë, disa minuta më vonë, në Komisariatin Nr.5 është njoftuar vjedhja e një banese në Zall-Herr, nga i zoti i shtëpisë, 31-vjeçari Kastriot T. Policia ka mundur të ndalojë autorin, Astrit Daku, 33 vjeç, ende pa dalë nga banesa që ishte futur për të vjedhur, për të cilin u vendos hetimi në gjendje të lirë. Ndërsa një tjetër banesë është vjedhur në rrugën “Ferit Xhajko” në Tiranë, ku janë marrë 20 mijë lekë të vjetra dhe një aparat fotografik dixhital. Efektivat e Komisariatit nr.4 janë lajmëruar nga 37-vjeçari Arben J., i cili kishte konstatuar vjedhjen e shtëpisë së tij, por autorët ende nuk janë identifikuar.