E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Skema piramidale”, Indrit Aliu në gjyq për 9 raste mashtrimi

 

TIRANE – Prokuroria e Tiranës është duke mbyllur hetimet ndaj Indrit Aliut, personit të shpallur në kërkim ndërkombëtar për të paktën nëntë raste mashtrimi me pasoja të rënda, me një dëm prej rreth 4 milionë euro. Sipas burimeve zyrtare nga organi i akuzës, grupi i hetimit po kryen veprimet e fundit hetimore të dosjes së hapur më 19 mars 2009, pas gjashtë denoncimeve të bëra në Prokurori që akuzonin Indrit Aliun për mashtrim me pasoja të rënda në rreth 3 milionë euro. Sipas burimeve nga Prokuroria e Tiranës, i kërkuari dërgohet në gjyq në mungesë pasi ndalimi i tij nuk është bërë i mundur edhe pse urdhërarresti ndaj tij i është përcjellë prej muajsh policisë dhe Interpolit. Në përfundim të hetimeve, prokuroria pohon se ka provuar nëntë raste të vjedhjes me anë të mashtrimit nga shtetasi Indrit Aliu, 25 vjeç. Ai mësohet se është larguar jashtë Shqipërisë pak ditë pas denoncimeve të para të mbërritura ndaj tij në Prokurorinë e Tiranës. Të dëmtuarit kanë qenë kryesisht biznesmenë të cilëve Indrit Aliu akuzohet se u ka marrë shuma të mëdha financiare dhe materiale me anë të mashtrimit në kontratat e nënshkruara. Duke u hequr si një biznesmen i fuqishëm, pronar i kompanisë “Dejs & Partners Consulting”, Aliu ka nënshkruar kontrata me sipërmarrës dhe kompani të tjera, duke përvetësuar paratë e më pas duke u zhdukur pa gjurmë. Mashtrimi i parë është kryer në dëm të shtetasit B.N, drejtues teknik i një firme. Në datën 21.01.2009, midis Aliut dhe të dëmtuarit u nënshkrua një kontratë 7 milionë euro. Indrit Aliu ka kërkuar sigurimin e kontratës në vlerën 3% të saj, pra në shumën 210.000 euro dhe më pas është zhdukur, pasi ka marrë paratë më 22 janar 2009. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në tetë raste të tjera, kur Aliu ka përfituar shuma deri në 500 mijë euro nga të paktën pesë kompani dhe tre individë, duke arritur t’i mashtrojë në të njëjtën skemë dhe më pas të zhduket. Sipas të dhënave të Prokurorisë, i kërkuari iku nga Shqipëria në rrugë tokësore pak ditë pas kallëzimeve të bëra ndaj tij në Prokurorinë e Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›