Topi: Opozita do mbajë përgjegjësi nëse bojkoton reformat
Cilido vullnet individual dhe aspak institucional është i detyruar të lihet pas nga koha, reforma do të bëhet sepse kushtëzohet edhe me problemet e integrimit, ajo që do të penalizohet publikisht si shkaktar për mosintegrimin e mundshëm të vendit në NATO, atëherë do të ishte një faturë shumë e rëndë për secilin individ apo subjektet politike”, kështu ka deklaruar dje gjatë në interviste televizive Presidenti i Republikës Bamir Topi, në emisionin “5 pyetje” nga Babaramo. I pyetur mbi reformnë në drejtësi dhe rezervat e opozitës në të, Kreu i shtetit tha se “presidenti nuk është institucion privat kështu që nisma të tilla, nuk ka se si të jenë një ekskluzivitet i tij. “Reforma në drejtësi është një nevojë imediate që vjen nga shoqëria shqiptare, një kërkesë që vjen në mënyrë permanente nga institucionet ndërkombëtare dhe presidenti i vendit sigurisht që nuk është zgjedhur me 40 vota në parlament, për t’u zgjedhur me numrin e detyruar kushtetues. Të gjitha vlerësimet që mund të kenë linja politike apo subjektive në funksion të këtij problemi mua më duket e tejkaluar. Është një problem për të cilën shoqëria shqiptare dhe elektorati janë shumë të vëmendshëm, i shikon aktorët institucionale dhe politikë që janë pjesë e këtij procesi dhe në rast se konstaton që ka vetëm fjalë dhe mungesë vullneti sigurisht që zgjedhjet politike janë afër. Dhe çdo individ apo parti politike, në elektorat do të gjykohet edhe për qëndrimin ndaj reformave”, deklaroi Topi. Sipas tij, këto janë reforma që detyrimisht kushtëzohen për të rregulluar problemet e drejtësisë në Shqipëri. “Ato janë zëra që sintonizohen çdo ditë e më shumë”, theksoi Presidenti i Republikës. Ndërkaq, pyetjes për luftën kundër korrupsionit, z.Topi, iu përgjigj se pavarësisht përpjekjeve të qeverisë, korrupsioni është prezent. Ndaj sipas tij duhet filluar një betejë nga gjyqësori, KLD-ja, KLSH-ja dhe institucionet e tjera gjyqësore etj. “Nëse korrupsioni vjen nga mazhoranca apo opozita, drejtësia duhet të veprojë, jo për tia lënë mekanizmit të harresës dhe nuk duhet lënë shumë hapësirë, duhet vepruar në mënyrë më institucionale dhe sa më pak fjalë”, deklaroi Topi. Kreu i shtetit, theksoi se Shqipëria është republikë parlamentare, dhe faktori kryesor për reformën në drejtësi është vetë parlamenti, “ku vullnetet politike kthehen ne vullnete juridike”. “Roli i presidentit është i rëndësishëm, por vullneti për të marrë pjesë në një process, u realizua me tryezën e partive parlamentare, me ngritjen e komisionit të reformës në drejtësi. Jemi në momentin kur Këshilli i Lartë Drejtësisë, merr një rol të ri, ka të drejtë të hapë debatin dhe të futemi në terma konkret. Në mënyrë të padiskutueshme do të ketë një bashkëpunim me institucionet gjyqësore dhe do të merret një vendim në parlament për shumë ligje që duhen të harmonizohen me njëri tjetrin. Presidenti është edhe kryetar i KLD-së, është një proces i hapur që do të zgjasë rreth tre muaj, nuk mund të ketë modele të projektuar që në fillim. Presidenti i Republikës ndër të tjera theksoi se “duart e pastra nuk duhet të jenë thjesht një slogan, por sipas tij të kenë veprime të qarta”. “Dhe e mbështes një operacion të duarve të pastra. Kur flasim për operacion të duarve të pastra duhet të respektojmë shtetin e së drejtës dhe aktet ligjore. Të gjithë duhet të jenë të barabartë para drejtësisë”, deklaroi Topi.