E Hënë, 2 Nëntor 2026

UASHINGTON – SHBA-ja dhe India synojnë rivendosjen e marrëdhënieve tregtare, Trump planifikon bisedime me Modi

UASHINGTON, 10 shtator /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha dje se administrata e tij po vazhdon negociatat për të adresuar barrierat tregtare me Indinë dhe se do të bisedojë me kryeministrin Narendra Modi – në një përpjekje për të rivendosur marrëdhëniet pas disa javësh mosmarrëveshjesh diplomatike, sipas “Reuters”.

Trump, me një ndryshim të dukshëm toni, tha se mezi priste të bisedonte me kryeministrin Modi, në “javët e ardhshme” dhe shprehu optimizmin se mund të finalizohej një marrëveshje tregtare.

“Jam i sigurt se nuk do të ketë vështirësi në arritjen e një përfundimi të suksesshëm për të dy vendet tona të mëdha”, tha ai në një postim në rrjetet sociale.

Në një reagim, sot në mëngjes, Modi tha se Uashingtoni dhe Nju Delhi ishin miq të ngushtë dhe partnerë me një lidhje të fortë.

Ai tha se ekipet nga të dy vendet po punonin për të përfunduar diskutimet tregtare sa më shpejt të ishte e mundur.

“Gjithashtu mezi pres të flas me presidentin Trump. Do të punojmë së bashku për të siguruar një të ardhme më të ndritshme dhe më të begatë për të dy popujt tanë”, tha Modi.

Deklaratat e fundit nga të dy udhëheqësit i rritën aksionet e Indisë në mbi 0.5%.

Më herët, Trump dyfishoi tarifat e reja për importet indiane në 50%, duke ngritur pyetje në lidhje me të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Indi, të cilat ishin forcuar vitet e fundit, përfshirë gjatë mandatit të parë të presidentit Trump.

Gjatë javëve të fundit, Trump dhe zyrtarët e tij të lartë e kanë kritikuar Indinë për blerjen e naftës nga Rusia duke thënë se India po financonte luftën në Ukrainë, një akuzë që Nju Delhi e ka mohuar.

Mosmarrëveshja me SHBA-në ka përkuar me afrimin e Indisë me Kinën.

Zyrtarët tregtarë indianë dhe amerikanë ka të ngjarë të planifikojnë vizita për të rinisur bisedimet tregtare ballë për ballë në shtator, raportoi CNBC-TV18.

Një vizitë e planifikuar nga negociatorët tregtarë amerikanë në New Delhi nga 25-29 gusht u anulua, pasi bisedimet tregtare hasën pengesa të mëdha.

“Tregtia dypalëshe e mallrave SHBA-Indi arriti në 129 miliardë dollarë në vitin 2024, me një deficit tregtar të SHBA-së prej 45,8 miliardë dollarësh”, sipas të dhënave të Byrosë së Regjistrimit të Popullsisë në SHBA. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›