Topalli: Lufta kundër varfërisë, objektivi ynë në mandatin e ardhshëm
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë një takimi me gra dhe të reja të qytetit të Kuçovës, deklaroi se lufta kundër varfërisë do të jetë objektivi ynë në mandatin e ardhshëm. "Është e vërtetë se ne kemi përgjysmuar varfërinë dhe kapërcimi i varfërisë nuk është një gjest lëmoshe. Eshtë një akt drejtësie. Eshtë mbrojtje e të drejtave të njeriut, është e drejta për dinjitet dhe jetë. Dhe ky është objektivi ynë për mandatin e ardhshëm", tha ajo. Në fjalën e saj, kryetarja e Kuvendit duke e konsideruar veten të privilegjuar për takimet e saj me gra në çdo skaj të vendit, tha se "shpresa ka qenë shoku ynë i pazëvendësueshëm, i nevojshëm, që na ka mbajtur fort e na ka ndihmuar për të kapërcyer vështirësitë. Me cilësitë tona të veçanta si gra, për lindjen e rritjen e fëmijëve tanë, ne ndajmë përgjegjësinë e përbashkët për të përmirësuar jetën dhe vendin tonë. Ne kemi bërë gjënë më të mirë që kemi dyfishuar rrogat e mësuesve. Kemi dëshmuar vendosmëri për t’i dhënë respekt, dinjitet e motiv atyre që mësojnë fëmijët tanë", tha znj. Topalli. "Ne, vijoi ajo, kemi rritur pensionet duke dëshmuar respekt dhe përgjegjësi për mundin, djersën e jetën e prindërve tanë. Kemi dëshmuar se për ne, beteja kundër varfërisë është prioritet. Kemi mbajtur premtimet dhe në mandatin e ardhshëm së bashku do të realizojmë rritje të tjera".
...